Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, të rinjtë shqiptarë harxhojnë çdo ditë mesatarisht 3.9 orë online.
Për meshkujt kjo kohë është dhe pak më e madhe dhe shkon te 4.1 orë në ditë. Ky trend është në një rritje të vazhdueshme nga 3.2 orë të shpenzuara online në vitin 2014 dhe 2.9 orë në 2011-n.
Por nuk janë këto aktivitetet e vetme, pasi kafenetë zënë një pjesë të konsiderueshme të jetës së të rinjve shqiptarë. Gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shumë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21 për qind e bëjnë këtë me raste.
Megjithatë, 15 për qind e të rinjve pohojnë se nuk shkojnë kurrë në kafene dhe lokale në kohën e lirë, kurse 18 për qind prej tyre i frekuenton ato shumë rrallë.
Vetëm një e treta e të rinjve shpenzon rregullisht kohë të lirë duke lexuar libra, 19 për qind e bëjnë këtë vetëm me raste, ndër-kohë që gjysma tjetër e tyre lexon shumë rrallë (28 për qind) ose nuk lexon kurrë (22 për qind).
Gjithashtu, 28 për qind e femrave, krahasuar me vetëm 5 për qind të meshkujve, nuk dalin kurrë me miqtë ose e bëjnë këtë gjë shumë rrallë, shkruan Monitor.