Politika Sondazhi, votuesit e PD nuk e donin përjashtimin e Berishës nga grupi...

Sondazhi, votuesit e PD nuk e donin përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar

Shumica e votuesve të PD-së nuk e donin largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar. Përkundrazi ata kërkonin që PD ta mbështeste Berishën në çështjen me SHBA-në.

Sondazhi i Euronews Albania dhe MRB tregoi se 71.2% e votuesve të PD nuk e mbështesnin përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i demokratëve – 12.8% e mbështesnin, 12.4% ishin në mëdyshje, 3.6% dhanë përgjigje “nuk e di”.

Të pyetur se sa dakord janë me thënien “PD duhet ta mbështesë Sali Berishën”, 58% e votuesve të PD-së u përgjigjën po, 28.4% jo dhe 10% ishin në mëdyshje “as po as jo”.

Ndryshe u përgjigjën personat që më 25 prill zgjodhën të mos votojnë dhe që për këtë mund të konsiderohen si “elektorati gri”.

Shumica e tyre (56.5%) ishin kundër një mbështetjeje të PD-së ndaj Berishës edhe pse në rastin e largimit apo jo të tij prej grupit parlamentar ishin të dyzuar – 21.4% u përgjigjën “nuk e di”, 12.6% “jo” dhe 9.5% “po”.

Shumica e shqiptarëve mbështesin vendimin e SHBA për Berishën

Shumica e shqiptarëve e mbështesin vendimin e SHBA për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.

Sondazhi i Euronews Albania tregon se 57% e mbështesin “shumë” ose “disi” vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, 21.2% janë në mëdyshje “edhe po edhe jo”, ndërsa 19.4% nuk e mbështesin.

Mbështetja ndaj këtij vendimi është e madhe edhe mes personave që zgjodhën të mos votonin në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Sondazhi tregoi se 48.8% e atyre që mund të konsiderohen si “elektorati gri” janë “pro” shpalljes “non grata” të Berishës.

Ndryshe ndodh mes votuesve të PS-së ku mbështetja është pothuajse maksimale (88%), ndërsa në radhët e votuesve të PD-së ka një ndarje, 45.2% nuk e mbështesin, 18.8% po, ndërsa 34.8% janë në mëdyshje “as po as jo”.

Sondazhi u krye në nivel kombëtar në bazë të 1 mijë intervistave (49.5% meshkuj, 50.5% femra të moshës mbi 18 vjeç) nga data 10 deri më 28 gusht.