Politika Soreca: Shqipëria pranë çeljes së negociatave

Soreca: Shqipëria pranë çeljes së negociatave

Shqipëria është shumë pranë çeljes së negociatave dhe sipas Luigi Soreca-s ky moment ka ardhur. Ambasadori i BE-së në Tiranë u shpreh nga Korça se projekti i unionit nuk mund të jetë i plotë pa integrimin e vendeve të Ballkanit.

“Do t’ju them se ç’më ka thënë një miku im shqiptar para disa javësh. Ky mik është profesor dhe ai më tha se Shqipëria ka ecur përpara vërtetë shumë që prej vitit 1991. Pastaj ai shtoi këtë gjë që “vajza ime mendon që kjo ecuri, ky ritëm,, e cila nuk ka qenë aq e shpejtë”. Shqipëria ka ecur përpara vërtetë shumë, Shqipëria është shumë pranë atij çasti për fillimin e negociatave dhe ne vërtetë mendojmë se kjo kohë tashmë ka ardhur. Më lejoni të përsëris një gjë që unë e kam thënë edhe në të shkuarën, që Be nuk ka për të qenë i plotë nëse në të nuk do të jenë pjesë vendet e Ballkanit Perëndimor. Vetëm atëherë do të plotësohet BE-ja, kështu që për këtë arsye mendoj se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit do të bëhen pjesë jo vetëm nga aspekti ekonomik, social apo i sigurisë, por edhe për dëshirën që kanë për t’u bërë pjesë”, tha Soreca.

Ambasadori u pyet edhe për vendimin e DASH për të shpallur non grata ish-Kryeministrin Sali Berisha, por nuk e komentoi atë.

“Nuk kam asnjë koment për të bërë, ky është një vendim i marrë nga qeveria e SHBA-së ndaj unë nuk kam koment për të bërë për këtë vendim”, tha ai.

Një tjetër çështje për të cilën u pyet Soreca ishte edhe ajo e shtetit të së drejtës. Soreca u shpreh se kjo ditë është shumë e rëndësishme për të pasi para 29 vitesh në Itali u vra Giovanni Falcone. Ambasadori shtoi se puna e bërë me Reformën në Drejtësi deri më tani mjafton për të çelur negociatat, por ka ende punë për t’u bërë. Sipas tij, duhet të vazhdohet me moton “ndiq paratë”. Ndër të tjera, ai tha se, “Reforma në Drejtësi po krijon shumë “Falcone” në Shqipëri”.