Grupimi që po lufton për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar në bllokun europian ka marrë 400 mijë paund prej George Sorosit.
Donacionin e tij për fushatën “Best of Britain”, investitori miliarder e bëri përmes njërit prej fondacioneve të veta.
E përditshmja “Daily Telegraph” sqaron se grupi do ta nisë më vonë gjatë muajit publicitetin për tërheqjen e opinionit publik dhe për t’i nxitur ligjvënësit të votojnë kundër marrëveshjes përfundimtare të largimit nga Bashkimi Europian.
Ndihma e Sorosit ishte e mirëpritur, apo më saktë e çmuar, siç e përshkruan drejtuesi i kësaj fushate, Lord Malloch-Broën, por donatorët e vegjël, sipas ish-ministrit laburist kanë kontribuar edhe më shumë.
Sorosi, një shtetas amerikan i lindur në Hungari, bëri mjaft para në vitin 1992 duke vënë bast kundër paundit britanik në të ashtuquajturën “e mërkura e zezë”, gjë që detyroi kryeministrin e atëhershëm John Major ta hiqte monedhën britanike nga mekanizmi europian i kursit të këmbimit.
Miliarderi filantrop e ka lënë edhe më parë të kuptohet se cili është qëndrimi i tij lidhur me “Brexit”-in, përmes pohimeve se është e mundur që Britania të aplikojë për ribashkim me BE-në shumë shpejt pas referendumit të shkëputjes.