Dr. Bledar Kurti
Sot SHBA feston Ditën e Presidentëve, duke nderuar udhëheqësit e shquar që kanë formësuar historinë e kombit amerikan. Kjo ditë njihet gjerësisht si nderim për presidentët George Washington dhe Abraham Lincoln pasi që të dy kanë lindur gjatë muajit shkurt.
Në betimin e marrjes së detyrës, Presidenti i ShBA, betohet se “unë do e kryej detyrën e Presidentit me të gjithë forcën dhe aftësinë time” dhe se do mbrojë Kushtetutën e vendit.
E veçanta e këtij betimi është se në të janë përcaktuar tre fjalë: “preserve, protect and defend” (ruaj, t’i qëndroj besnik, të mbroj) të cilat në thelb kanë kuptimin “mbroj” por në fakt etërit amerikanë kanë përcaktuar qëllimisht tre fjalë të cilat parashikojnë tre skenarë të ndryshëm në lidhje me Kushtetutën ndaj të cilave Presidenti duhet të qëndrojë vigjilent dhe i vendosur në mbrojtje të saj.
1- “Të ruaj”
“Të ruaj” Kushtetutën siç na është votuar dhe mbështetur nga populli, zotohet Presidenti. Pushtetarët ikin e vijnë por ajo mbetet themeli i një shteti. Ajo është vetë shteti. “Të ruaj” Kushtetutën, zotohet ai, pa lejuar asnjë eksperiment por duke respektuar trashëgiminë e kombit dhe vullnetin e një populli.
Për më shumë se dy shekuj asnjë gërmë e tekstit bazë të Kushtetutës nuk është prekur, por janë shtuar vetëm 27 amendamente, 10 prej të cilave u shtuan në vitin 1791 – të njohura si Bill of Rights – e më pas u shtuan edhe 17 të tjera, e fundit në vitin 1992.
Kjo tregon rëndësinë dhe shenjtërinë e Kushtetutës: e ruajtur, e respektuar, e pandryshuar, e pa dhunuar. Ndaj edhe ShBA është lider i kombeve sepse sekretin e ka te Kushtetuta.
Nëse Shqipëria do t’i afrohet sado pak shtetit të së drejtës duhet të mbështetet edhe ajo vetëm tek Kushtetuta.
2- “T’i qëndroj besnik”
Kështu ai betohet se jo vetëm do ruajë Kushtetutën që kanë lënë trashëgimi etërit e kombit dhe vullneti i një populli por zotohet t’i qëndrojë besnik duke dhënë shembullin t’i bindet çdo gërme dhe frymës së Kushtetutës. Kështu ai do jetë shembull dhe shtysë si për qeveritarët ashtu edhe për çdo qytetar të thjeshtë.
Etërit amerikanë, përmes kësaj fjale përçuan mesazhin që Presidenti ka si detyrë të jetë garantues i Kushtetutës. Madje i pari në mbrojtje të saj!
3- “Ta mbroj”
“Ta mbroj” nga çdo përpjekje e brendshme apo e jashtme për ta cenuar atë. Fjala që kanë zgjedhur etërit amerikanë është “defend” që do të thotë t’i dalësh përballë me trupin, forcën, të gjithë qenien tënde çdo përpjekjeje për dhunim, shkelje, abuzim, sulm dhe kërcënim nga aktorë të brendshëm dhe të jashtëm.
Etërit amerikanë i kërkuan Presidentit të përdorë të gjithë fuqinë e tij dhe çdo mjet që disponon individualisht por edhe institucionalisht në mbrojtje të Kushtetutës.
Kjo është ShBA! Ky është “qyteti mbi kodër”, ai vizioni i pelegrinëve të parë që ia arritën të ndërtonin një shtet tek i cili do përqendroheshin prej shekuj sytë e të gjitha kombeve.
Ky është shembulli sublim i demokracisë, i shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.