55 vite burg në total ka dhënë Gjykata e Tiranës për 4 të rinjtë, të cilët në Korrik të vitit 2017 vranë 22-vjeçarin Marvi Mihali. Me 19 vite burg gjykata dënoi Dejvi Bitrajn, ndërsa për kushëririn e tij Eugen Bitraj dha 12 vite burg.
Edhe për dy vëllezërit Kridens dhe Marsel Alla gjykata dha gjithashtu 12 vjet heqje lirie. Këta të fundit u dënuan në mungesë, pasi ndodhen ende në kërkim dhe nuk janë arrestuar nga policia.
Gjykata tha se Dejvis Bitraj ishte personi i cili e kishte goditur për vdekje të riun Mihali.
Prokuroria kishte kërkuar në total 87 vjet për 4 të rinjtë.
Vendimi i kësaj të enjteje nga Gjykata e Tiranë solli reagimin e ashpër të prindërve të viktimës. Duke mallkuar gjykatësit, ata u shprehën se nuk do t’i ndahen drejtësisë sa të kenë jetë.
“S’kam kam kërkuar asgjë, vetëm drejtësinë, të cilën kam thënë që do ta vendos me çdo kusht. Sot djalit tim i ka lëvizur pllaka e mermerit sipër varrit. Sa të kem jetë, të gjithë ata që janë përlyer në këtë histori të ndyrë do të marrin reston e vet. Unë nuk do të ndaloj së kërkuari drejtësi, kjo është tallje. Ai e theri, ia nguli thikën nga lart, 15 metra mbi shpinë, e rrëzuan tinëz, që nuk kishin asnjë punë dhe ai ndryshon kualifikimin e veprës penale, heq paramendimin, le vetëm vrasje në bashkëpunim me dashje, që të abuzojnë me vendimin. Siç duket këta gjykatës nuk kanë frikë as nga vettingu, ose e dinë që janë në rreth, të futur në rreth dhe tani të përfitojnë çfarë munden. Nuk i bëhet vonë se vdiq djali im. Fatin tim të zi e provofshin gjykatësit në fillim, e provofshin fatin tim të zi. Kaq kam për të thënë”, tha nëna e të ndjerit.
“Turp për Sokol Tonen, turp për Tan Gjermenin, turp për Besnik Hoxhën. Mallkimi i djalit tim i ndjektë këta gjykatës, këta plehra. Si e ndërrojnë kualifikimin e veprës këta? Këtu të gjitha faktet janë të pastra si kristali. Ç’është kjo drejtësi? Unë do them vetëm një gjë, padrejtësia e gjykatësve sot lëvizi pllakën e djalit tim. Por ne do ta ndjekim këtë me çdo kusht, unë do ta vendos drejtësinë me të gjitha mënyrat. 19 vjet për Dejvi Bitrajn që ma vrau çunin, e masakruan me shkelma dhe 19 vjet… nga 12 i dënuan këta të tjerët, turp e faqe e zezë. Ky është mjerimi i drejtësisë. Turp, faqja e zezë për këta gjykatës plehra”, shtoi babai i tij.
Sherri palëve ndodhi në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe motiv dyshohet të ketë qenë një karikues celulari.