Në liturgjinë e shenjtë dhe në shërbesën e varrimit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, mbajti një fjalë edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Ai u shpreh se Kryepeshkopi i ndjerë ishte një personalitet i veçantë.
“Largimi i tij nga jeta lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm. Jo vetëm në vendin ku shërbeu dhe në diasporën tonë, por kudo ku rreh zemra e Helenizmit, për të cilin ai ishte, për dekada me radhë, një dritë udhërrëfyese. Një dritë dashurie dhe sakrifice, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje dhe efikasiteti. Një dritë e Orthodhoksisë dhe e jetës së krishterë”, tha Mitsotakis.
Ai u ndal edhe tek momenti i mbërritjes në Shqipëri të Kryepeshkopit Anastas.
“Në një vend të rrënuar nga regjimi autoritar, me të krishterët të persekutuar dhe bashkëkombasit tanë të lënë në harresë. Megjithatë, duke marrë forcë nga besimi i tij i thellë, ai hodhi themelet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, tha kryeministri grek.
Sipas tij nuk është rastësi që Kryepeshkopin Anastas e vajtojnë si grekët dhe shqiptarët.
Për Mitsotakis ai ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve.
“”Gurët që na hedhin, ata që luftojnë kundër veprës sonë,” thoshte shpesh me një buzëqeshje në fytyrë “ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe shkolla.” E thoshte dhe e nënkuptonte. Nuk është rastësi, pra, që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por edhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë. Kryepiskopi ishte gjithmonë një urë miqësie mes dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve. Prandaj, me plot të drejtë, mund të quhet “diplomati i dashurisë.” Një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur”, tha Mitsotakis.
Pasi e konsideron veten si një nga të fatlumët që pati mundësi ta njihte Kryepeshkopin, Mitsotakis nuk e fsheh dhe e konsideron këtë gjë si një pasuri personale.
“Ai ishte, siç e kishte quajtur im atë, “i shenjtë dhe i urtë.” Një njeri që të magjepste me dijet e tij dhe një karakter që, pa e shprehur me fjalë, të ftonte me shembullin e tij të bëheshe më i mirë. Pikërisht këtu përputheshin edhe rrugët tona: në aftësinë për të kuptuar problemet e shumicës, veçanërisht të më të dobëtëve, dhe në përkushtimin për të luftuar, pavarësisht vështirësive, që ato të gjenin zgjidhje. Për grekët dhe orthodhoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Anastasi ishte burim krenarie. Ai ishte një shërbëtor i palodhur dhe i përulur, duke ofruar shpresë dhe udhëzim shpirtëror për besimtarët orthodhoksë kudo në botë. Me urtësinë e tij teologjike dhe përulësinë e tij, ai dëshmoi se Kisha Orthodhokse mund të jetë një komunitet i gjallë dashurie dhe kujdesi shoqëror, që bashkon popujt. Prandaj, sot të gjithë ndjejmë një trishtim të thellë, por edhe një ndjenjë përgjegjësie për trashëgiminë e rëndë që ai na lë”, tha Mitsotakis.