Politika “Sot flas në emër të katunarëve”, Rama mbyll fushatën në kryeqytet: Tirana...

“Sot flas në emër të katunarëve”, Rama mbyll fushatën në kryeqytet: Tirana sot, fuqia më e madhe tërheqëse e turistëve

Partia Socialiste ka mbyllur fushatën sot fushatën dhe në Tiranë. Kryeministri Edi Rama bashkë me kryebashkiakun Erion Veliaj janë pritur me ovacione nga simpatizantët socialistë në Parkun Olimpik.

Fjalën e tij, Rama e nisi me deklaratën e Presidentit të Polonisë për “Tiranën krejtësisht të transformuar brenda 4 vitesh”.

“Lali Eri foli në emër të qytetarëve të Tiranës, un do flas në emër të katunarëve të Tiranës dhe do mundohem të mos përsëris, vetëm të shtoj disa gjëra. Duke e nisur nga një detaj shumë i vogël. Sot prita Presidentin e Polonisë dhe më tha kam qenë këtu në 2019-ën dhe nuk e besoj dot që është i njëjti qytet. Tirana ka hyrë në shpejtësinë e një transformimi të jashtëzakonshëm të cilin ata që kanë mundësi të shkëputen pak në kohë, e lexojnë më shpejt. Tirana bëhet gjithmonë e më shumë vendi i mundësive të reja dhe motor i fuqishëm i zhvillimit të një ekonomie të re. Ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme dhe shumë nga ju e dini mirë nga ku ka filluar, ndërkohë që sot Tirana ka ende shumë rrugë për të bërë, por e ardhmja nuk është më një pikëpyetje, por është përballë nesh dhe gjithmonë e më afër”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, kjo fushatë ka qenë më e thjeshtë se të tjerat pasi sipas tij, puna ka folur vetë.

“Mua më vjen mirë që në këtë fushatë, ne kemi pasur jo më të lehtë, por e kemi pasur pasqyrën kuptimplotë të punëve kudo që kemi shkuar, ndryshimet e prekshme dhe vetë mundësitë e reja që janë krijuar na kanë ndihmuar që fjalët të mos jenë siç ishin në fillim, por të jenë të mbështetura në realitetin e jetës së përditshme. Ka filluar të bëhet gjithmonë e më shumë nje jetë ku njerëzit përtej vështirësive shohin shpresë, jam i kënaqur që përkoi me këtë moment një dekadë përpjekjesh, të lidhura me të papriturat marramendëse që na kanë dalë përpara, që sot kemi hyrë në ciklin 1-vjeçar të rritjes më të lartë historike të pagave dhe kemi hyrë në procesin e përmbushjes së një ambicieje që ka qenë tortura jonë e brendshme për ta bërë Shqipërinë ku pagat janë në nivelin më të lartë të rajonit, dhe paga mesatare të shkojë në 900 euro në Prillin e ardhshëm.

Pa i çuar të ardhurat për frymë në 10 mijë euro ne nuk e quajmë të përfunduar detyrën tonë. Ndërveprimi i qeverisë me bashkinë e Tiranës nuk është çështje financimi për projekte, por ndërveprim mes forcash që janë të bashkuara nga i njëjti vizion, që ndërveprojnë me vetëdijen e të njëjtin mision dhe shkojnë bashkë përpara për të realizuar të njëjtat qëllime, në mënyrë që ajo që investohet të kthehet në mirëqenie dhe dëshirë për ta jetuar qytetin”, tha Rama.

Tiranën e cilësoi fuqinë më të madhe tërheqëse të turistëve në vend.

“Sot Tirana është fuqia më e madhe tërheqëse e turistëve, që do të thotë më shumë ekonomi, më shumë të ardhura, numri i hoteleve që janë ndërtuar është mbresëlënës, por ka një element shumë të rëndësishëm. Fuqia më e madhe tërheqëse e turistëve në Tiranë nuk janë hotelet, por janë mijëra apartamente që sot shërbejnë për të mikpritur turistë dhe familjet që i kanë ato apartamente fitojnë të ardhura që kurrë nuk i kishin imagjinuar. Kjo shifër ende nuk është pjesë e ekonomisë së formalizuar sepse ne nuk kemi dashur të ngacmojmë në këtë fazë delikate këto të ardhura.

Nuk kanë asnjë ngarkesë fiskale sepse ne na duhet ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion turistik në katër anët dhe Tirana është qendra e gravitetit. Ajo që dua të shtoj është fakti se Tirana sot nuk është më Tirana që kam drejtuar unë, është shumë më e madhe. Nuk është më qyteti i rrethuar nga komunat në vijën e vjetër të tij, mos harroni se Tirana mbaronte te Astiri, në Kinostudio, edhe këtu ku jemi ne. Sot Tirana shtrihet deri në Ndroq, Zallbastar, deri lart në Dajt dhe potencialet janë ende të gjitha për t’u zbuluar dhe për t’u vënë në dispozicion të një rritjeje ekonomike që do të jetë shumë më e madhe qoftë për ata që jetojnë në qendër, e qoftë për ne katunarët që banojmë në periferi. Ky kryeqytet nuk është më ai që ishte, i varrosur në paligjshmërinë dhe në pluhurin e një rrëmuje të paparë. Ky kryeqytet sot është i krenarisë tonë kombëtare”, theksoi Rama.