Pak minuta se të nisë seanca ku pritet heqja e imunitetit të tij, Sali Berisha tha se ky akt ka qëllim për të mposhtur opozitën, por sipas tij, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, përkundrazi, e ka forcuar atë.
Brenda sallës së Kuvendit, “e pushtuar” me gardistë dhe me karrige përmbysë, Berisha tha gjatë “live” të tij në Facebook, se “ky akt kriminal”, siç ai e quajti është një tregues se mazhoranca i druhet opozitës pasi sot është më e fuqishme se kurrë.
Ai nuk la pa përmendur edhe votën pro të Enkelejd Alibeaj. Për Berishën, “Komisioni Rama-Brava”, referuar Lulzim Bashës, bëri një akt kriminal, por shtoi se përballë kësaj, opozita qëndron e palëkundur.
“Me vendosmëri kanë denoncuar vjedhjet e paimagjinueshme, aferat e shekullit të Edi Ramës, familjarëve të tij, Taulant Ballës, bandave dhe ministrave, parlamentarëve etj. Deputetët e opozitës i kanë kallë tmerrin maxhorancës, parlamenti ka më shumë gardistë se deputetë. Parlamenti de facto është shndërruar në antikushtetutshmëri, sot pas një vendi anti-kushtetues të Gjykatës Kushtetues, të komisionit Rama Brava votojnë për heqjen e imunitetit dhe arrestimit të kryetarit të PD, duke besuar se në këtë mënyrë do mposhtin opozitën, ky është një akt i shëmtuar, krim i vërtetë, por ky krim nuk mposht kurrë opozitën, ky akt dëshmon se në Shqipëri ka një opozitë të fuqishme që qëndron e palëkundur”, tha Berisha.