Kryeministri Edi Rama ka folur sot për fillimin e vaksinimit masiv. Rama e ka cilësuar procesin e nisur si një nga ditët më të bukura për njerëzit duke vlerësuar se politika e mirë është ajo që sjellë punë të mira. Ai i bëri thirrje popullit që të marrin seriozisht politikën dhe të jenë të vëmendshëm në zgjedhjet e tyre.
“Sot ka nisur çlirimi nga ankthi në shpirtin e mijëra gjysheve dhe gjyshërve të këtij vendi, që për shkak të rrezikut të madh që i kërcënon në këtë kohë të mallkuar, ku bota përballet me armikun e padukshëm, kanë qenë të detyruar të mbyllen brenda dhe të privohen nga shumë orë në ajër të pastër, të privohen nga shumë kontakte me nipërit, me mbesat, të privohen nga shumë ulje me njëri tjetrin dhe ndërkohë të mësojnë çdo ditë lajme të hidhur për bashkëmoshatarë të tyre që ndërrojnë jetë si rezultat i marrjes së frymës dhe i ndalimit të rrahjeve të zemrës nga agresioni i armikut të padukshëm.“
Rama tha se kjo është faza finale e luftës me Covid-19.
“Sot kemi hyrë në fazën finale të kësaj lufte dhe faktikisht çdo ditë nga sot është një hap kolosal drejt fitores përfundimtare mbi këtë mortje, që prej një viti e kusur e ka ndryshuar rrënjësisht kuptimin e jetës sonë dhe ka penguar çdonjërin prej nesh të marrë frymë thellë për të parë të ardhmen në një përpjekje të përditshme për ti mbijetuar të tashmes. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të shohësh mijëra e mijëra gjyshe e gjyshër pa asnjë dallim që të marrin vaksinën. Është një nga ato momente që kush do e kupton që politika në vetvete nuk është diçka e keqe. Përkundrazi, politika ka lindur për këtë, për të bërë gjëra si këto. Kur politika bie në duar të mira bën punë të mira. Kur bie në duar të këqija bën punë të këqija.
Pa politikën dhe pa diplomacinë dhe pa kontaktet diplomatike nuk do arrinim dot të siguronim vaksinim masiv të popullsisë dhe do ishim si vende të tjera në rajon që deri tani nuk kanë bërë asnjë dozë, ose po bëjnë akoma doza simbolike. Jemi një nga dy vendet e rajonit që e kemi siguruar vaksinimin masiv dhe kjo më bën shumë krenar dhe për t’i vënë njerëzve faktin që politika është shumë e rëndësishme dhe njerëzit në momentin që do të vendosin në ç’drejtim do të shkojë vendi ta marrin seriozisht politikën.
Kur njerëzit zgjedhin për shtëpinë e tyre nuk shikojnë partitë, nuk shikojnë ngjyrat. Kur njerëzve u duhet një gomar për drutë nuk e shohin nga ngjyra, as nga veshët, por thjesht dhe vetëm i shikojnë fuqinë që ka për të bërë punën. E pse qenka ndryshe kur vjen puna për të zgjedhur njerëzit që duhet të bëjnë gjërat e përbashkëta. Mendoni se vaksinimi nuk ka lidhje me politikën dhe me kë drejton vendin, që nuk ka lidhje me qeverinë apo njerëzit që drejtojnë institucionet? Kush e mendon këtë bën një gabim shumë të madh“.
“Do të vaksinojmë popullsinë përpara Pranverës së ardhshme. Turistëve nuk do t’u kërkohet vaksinimi për të hyrë në Shqipëri”
Rama vizitoi këtë të diel pikat e ngritura në sheshin “Skënderbej” ku po kryhet vaksinimi i të moshuarve mbi 70 vjeç. Kreu i qeverisë u shpreh se vaksinimi i ka çliruar të moshuarit nga stresi dhe kjo është një prej kënaqësive më të mëdha që ai ka marrë personalisht nga momenti që është marrë me politikë.
Rama theksoi edhe një herë se brenda Majit synohet që të vaksinohet gjysmë milioni qytetarë, ndërkohë që nënvizoi se vaksinimi i gjithë popullsisë mund të kryhet para Pranverës së ardhshme.
Ndër të tjera Rama u shpreh se nuk do të kërkohet që të jetë kryer vaksina për turistët që do të hyjnë në Shqipëri.
Edi Rama: Tanimë u hap rruga për vaksinimin masiv, të shpejtë, të gjitha qendrat shëndetësore në territorin e Republikës së Shqipërisë aktualisht kanë filluar vaksinimin. Janë edhe këto pika që ndihmojnë për të rritur intensitetin. Objektivi ynë është që brenda muajit Maj të kemi të vaksinuar gjysmë milionë qytetarë. Kemi vënë një afat Qershorin, për çdo eventualitet që të mos na thoni mbrapa që s’e mbajtët fjalën, sepse na mësoi eksperienca që ka gjëra të paparashikuara por besoj që brenda Majit do të do të kemi gjysmë milioni qytetarë të vaksinuar dhe kam bindjen e plotë që do të ecim shumë shpejt pasi kemi siguruar sasi të konsiderueshme. Vazhdojmë punën për të siguruar të gjitha sasitë e nevojshme dhe besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar si rezultat i këtyre goditjeve që i bëhen zinxhirit të infektimeve. Mbetemi të bindur që deri në Pranverën e ardhshme do të jetë e vaksinuar e gjithë popullata, por për sa më takon Ogerta thotë ‘mos e thuaj’, mendoj që do ta bëjmë edhe më parë. Do ta tejkalojmë edhe atë afat.
Si, me tre turne do të vaksinohen?
Edi Rama: Në katër turne. Ne do të jemi në dispozicion non stop, pastaj njerëzit janë të lirë të vaksinohen duan të vaksinohen, s’duan të vaksinohen. Mos ua qani hallin atyre që mezi e kanë pritur këtë ditë sepse siç e patë edhe këtu, ndihen shumë të çliruar psikologjikisht pasi sidomos për moshat më të thyera është realisht një stres i jashtëzakonshëm dhe jeta e tyre është shtrënguar në mënyrë të jashtëzakonshme. Çlirimi i tyre nga ky stres është ndoshta kënaqësia më e madhe që kam marrë kur merrem që kur merret me politikë.
Ju keni deklaruar që gjatë sezonit turistik do tentojmë të sjellim sa më shumë turistë në Shqipëri?
Edi Rama: Nuk kam thënë do të tentojmë, kam thënë që të gjithë do të vijnë në Shqipëri.
A do të kërkohet për ta që të kenë bërë vaksinën për ata që do të vijnë në Shqipëri?
Edi Rama: Jo nuk do të kërkohet.