Pas mbledhjes së Kryesisë së PS do të mësohet kandidati për president. Sekretari i Përgjithshëm i selisë rozë, Damian Gjiknuri, nuk tregoi asnjë emër që po diskutohet mes mazhorancës. Megjithatë ai tha se kandidati që do të propozojnë ata, ka për të qenë dinjitoz.
“Të gjitha emrat janë në konsideratë, por natyrshëm, grupi negociator dhe Kryesia e PS në fund të fundit është Kryesia e PS që sot do të marrë sot vendim në lidhje me propozimin përkatës. Më vonë do t’i kalojë grupit parlamentar ku do të bëhet një diskutim dhe në grupin parlamentar ku natyrshëm do t’i nënshtrohet një procesi votimi dhe ne jemi të bindur që do të kemi një president të zgjedhur shumë shpejt.
Nuk do të ishte etike për mua që të përmend emra. Emrat kanë qenë diskutim i brendshëm. Për sa kohë për emra flitet brenda një rrethi të mbyllur politik dhe kështu duhet të jetë sepse nuk është e thjeshtë të luash me emrat. Një nga defektet që do ia vija në dukje opozitës është që nuk qe e aftë brenda vetes të diskutonte për emrat dhe të ulej në negociatë pa pasur nevojë për bërje publike të emrave. Sepse bërja publike e emrave shpeshherë dëmton procesin dhe individët që kanë emrat të lidhur me ta. Për sa kohë jemi brenda një forumi drejtues të PS dhe është forumi më i lartë mendoj që aty do të diskutohen të gjitha emrat që janë hedhur, kanë dalë nga diskutimet, qoftë nga deputetët, qoftë nga diskutimet në nivelet më të larta tek kryetari i PS. Mos u bëni të padurueshëm. Sot pasdite në selinë e PS pas mbledhjes së Kryesisë do të mësoni kandidatin që jam i bindur dhe mesazhi kryesor që do të jepja është që do të jetë kandidat dinjitoz që do ta bëjë siç duhet detyrën e presidentit. Jo modelin që kemi parë këto vite”, tha Gjiknuri.