Vjeshta për maturantët mbetës nis sot më 27 gusht me provimin e Gjuhës së Huaj, pasuar nga ai i Gjuhës Shqipe më 30 gusht. Në datën 3 shtator ata do t’i nënshtrohen testit të Matematikës dhe në datën 6 shtator Provimit me Zgjedhje.
Procesi do të jetë po i njëjtë dhe shkalla e vështirësisë po ashtu. Provimi do të zgjasë 2 orë e gjysmë dhe do të përbëhet nga 32 pyetje, nga të cilat rreth 20 me alternativë.
I vetmi ndryshim do të jetë vendi ku do të zhvillohet provimi. Më të pakët në numër, maturantët do të grumbullohen në të njëjtin mjedis, por gjithmonë brenda qytetit të tyre.
Ata që do të kalojnë provimet dhe do ta kenë mesataren mbi 6.5 mund të aplikojnë për në Universitet në raundin e dytë.
Ndërkohë po sot dekanët e katër fakulteteve të Universitetit të Tiranës do të mbajnë një konferencë për shtyp lidhur me pranimet në këtë institucion.