Opozita proteston sërish para kuvendit pasditen e sotme teksa do të mbahet seanca e radhës plenare. Të djathtët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama për çështjen McGonigal.
Por edhe këtë herë kreu i qeverisë nuk do të jetë në seancë, pasi në orën 17 është parashikuar një konferencë e përbashkët me homologun e Bavarisë, ndërsa më pas kreu i qeverise do të niset për një vizitë në Dubai.
Ndërkohë, një ditë më parë pas takimit me strukturat në Tiranë, Sali Berisha teksa foli për protestën e të shtunës, tha se tani e tutje Kuvendi do të jetë arena e opozitës pasi ky institucion po shndërrohet në antikushtetues dhe po i pret fjalën opozitës.
Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një prononcim për mediat ka bërë të ditur çështjet që do të diskutohen ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Balla është pyetur dhe në lidhje me protestën e thirrur nga opozita para Kuvendit të Shqipërisë pikërisht në orën që do të nisë seanca parlamentare në 17:00, të cilën e ka ironizuar duke thënë se tradita e vendit e do që të mbahen të tretat, pas asaj që Balla e ka cilësuar “dështim i revolucionit të ditës së shtunë”.
“Çështjet më të rëndësishme të kësaj jave parlamentare. Kujtoj këtu që ne kemi një sërë çështjesh që janë në proces diskutimi në Kuvendin e Shqipërisë. I kam kërkuar kryetares të Komisionit të Çështjeve Ligjore, Bushkës që të ecim me ligjet e paketës së “dekriminalizimit”. Zgjedhjet Vendore po vijnë dhe duhet të jua bëjmë të pamundur çdo personi që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, për t’u ngjitur në institucionet më të larta, në rastin në fjalë qoftë për kryetarë të Njësive Vendore apo për anëtarë të Këshillave Bashkiakë. Ata që kanë punuar në Sigurimin e Shtetit nuk duhet të arrijnë në strukturat më të larta të shtetit.
Së dyti, ka pasur një kërkesë nga ana e deputetëve të opozitës, qesharake, lidhur me pretendimin se Nikolla paska kryer shkelje të rregullores. Këshilli i Legjislacionit e ka bërë verifikimin e vet dhe raporti është gati ku arrihet në përfundimin se kryetarja e ka respektuar legjislacionin.
Së treti, Shqipëria ka disa tradita dhe pas dështimit të protestës së revolucionit të ditës së shtunë, në Shqipëri në këto raste, sot janë të tretat dhe do të keni parasysh se sot do të ketë edhe një. Nuk e di për çfarë arsyeje duhet protestuar tek Kuvendi i Shqipërisë”, tha Balla.