Italianët do t’i drejtohen kutive të votimit këtë të diel për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Gjasat janë që këtë herë fitoren ta marrë një parti e djathtë me në krye një grua. Giorgia Meloni udhëheq të djathtët e “Fratelli d’Italia” (Vëllezërit e Italisë) dhe synon që të bëhet e para kryeministre femër në Itali. Ajo është në koalicion me dy parti të tjera të djathta, atë të Salvinit dhe të Silvio Berluscon-it.
Meloni e ka zbutur imazhin e saj dhe i vjen keq që lidhet me të kaluarën fashiste të Italisë. Ajo mbështet sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe ka zbutur retorikën ndaj Evropës. Por Meloni ende përqafon një slogan të vjetër të fashistëve, “Zoti, atdheu dhe familje”. Po ashtu, ajo është shprehur kundër “lobit LGBT” dhe ka bërë thirrje për një bllokadë detare të Libisë për të ndaluar emigrimin.
Votimet në Itali pritet që të zgjasin deri në orën 23:00. Pas kësaj ore do të dalin sondazhet dhe projeksionet e para për të dhënë një ide se kush do të fitojë.
Ekonomia e Italisë po rritej pas pandemisë Covid-19, por më pas kriza energjetike, e shkaktuar kryesisht nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, bëri që çmimet të rriteshin. Ndërsa politikanët kanë kaluar ditët e fundit duke debatuar për Rusinë dhe Evropën, italianët janë më të shqetësuar për pagesën e faturave të tyre.
BE-ja pranoi t’i dërgonte Italisë 200 miliardë Euro grante dhe kredi për rimëkëmbjen pas Covid-it, por kjo është e kushtëzuar me reformat e dakorduara nga qeveria e unitetit në largim e Mario Draghi-t. Giorgia Meloni ka kërkuar që plani të rishikohet dhe ka folur për të bërë më shumë për të “mbrojtur” interesat kombëtare të Italisë në BE.
Deri në fillim të Gushtit, partitë e majta dhe të qendrës italiane synonin të ngrinin një koalicion të përbashkët ndaj aleancës Meloni. Por ata nuk arritën marrëveshje dhe rivali më i madh i Melonit në sondazhe, kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë Enrico Letta, tani përballet me një luftë të vështirë.
Ai madje ndan disa politika të njëjta me Lëvizjen Pesë Yjet e udhëhequr nga Giuseppe Conte, por ato nuk u pajtuan për një koalicion.