Politika Spahia: Do jem kryebashkiak i të gjithë shkodranëve. PS premton se do...

Spahia: Do jem kryebashkiak i të gjithë shkodranëve. PS premton se do ta fitojë Shkodrën pas një viti

Kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë, Bardh Spahia deklaroi sot në një prononcim për mediet pas fitores së zgjedhjeve për kryetar bashkie në Shkodër se, nga sot në Shkodër fillon një rrugëtim i ri dhe ndryshim i madh në të gjithë Shqipërinë.

“Në këtë ditë historike, ditë shprese për të gjithë demokracinë shqiptare, për opozitarizmin e vërtetë shqiptar dhe jo vetëm shkodran, dua ta nis me një falënderim nga zemra për të gjithë demokratët, për të gjithë qytetarët e bashkisë së Shkodrës, për vlerësimin që më dhanë nëpërmjet votës së tyre”, tha Spahia.

Spahia falënderoi qytetarët e Shkodrës, të cilëve u garantoi se, “nga nesër do të jem kryebashkiaku i të gjithë qytetarëve të Shkodrës”.

“Një thirrje kam dhe për ata që nuk zgjodhën për të më votuar mua dhe veçanërisht për ata demokratë që ndoshta për pak momente humbën rrugën, dera jonë, dera e shumicës, do të jetë gjithmonë e hapur, për të gjithë demokratët e vërtetë, shkodranë dhe jo vetëm. Nga sot në Shkodër ju siguroj që fillon një rrugëtim i ri, ndryshim i madh në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Spahia.

PS premton se do ta fitojë Shkodrën pas një viti

Pas shpalljes së rezultatit për Bashkinë e Shkodrës, ku Bardh Spahia, kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” ka fituar zgjedhjet, ka reaguar Damian Gjiknuri, i cili ka falenderuar të gjithë banorët e Shkodrës për mbështetjen e dhënë nga PS dhe kandidates së saj, Majlinda Angonit.

Gjiknuri thotë se pas një viti do të bindin edhe ata që nuk e votuan PS-në.

“Faleminderit çdo banori të Bashkisë së Shkodrës për votën e dhënë për Partinë Socialiste dhe kandidaten e saj! Respekt për Majlinda Angonin, për betejën e saj dinjitoze dhe qytetare! Garanci për çdokënd që votoi apo nuk votoi për Partinë Socialiste se Shkodra do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë dhe Kryeministrit Rama. Me shumë punë e reflektim, pas 1 viti do mund të bindim edhe ata që nuk na votuan dhe do të meritojmë drejtimin e punëve edhe në Bashkinë e Shkodrës”, ka shkruar Gjiknuri.