Monika Kryemadhi ka reaguar pas dërgimit në gjykatë të dosjes së inceneratorit të Fierit, për të cilin akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist Alqi Bllako dhe shumë zyrtarë të tjerë.
Në një postim në Facebook ish-kryetarja e LSI-së, thotë se janë akuzuar vetëm propozuesit e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe jo miratuesit e saj, që sipas saj janë Rama, Agaçi dhe Subashi.
“SPAK apo “pak”?? U njohëm sot me vendimin e S(PAK) për dërgimin e aferës së inceneratorit të Fierit në gjyq. U njohëm edhe me subjektet dhe me veprat penale konkrete që akuzohen. Habi e madhe të akuzosh propozuesit e një VKM-je për një shpronësim të paligjshëm dhe të mos akuzosh miratuesit e po kësaj VKM-je. Po Subashi, po Agaçi, po Rama, ku janë? Si i bie tashmë? SPAK apo “pak” fare?!?”, shkruan Kryemadhi.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi se ka depozituar në gjykatë dosjen për inceneratorin e Fierit për të cilin akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist Alqi Bllako dhe shumë zyrtarë të tjerë.
Sipas SPAK, Bllako, Koka dhe zyrtarët e tjerë kanë shkelur ligjin me procedurat e dhënies së koncensionit, si dhe kanë falsifikuar dokumentet për pronën mbi të cilën është ndërtuar ky objekt.
Gjithashtu, prokuroria ka depozituar dhe provat në lidhje me shkeljet e kryera nga kompania që ka marrë koncesionin.