Prokuroria e Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit ka dërguar për gjykim çështjen ndaj dy ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe Fatos Lulo.
Të dy akuzohen për veprën penale të refuzimit për mosdeklarim dhe fshehje, si edhe deklarim të rremë të pasurisë.
Në prill të këtij viti Gjykata e Posaçme sekuestroi disa pasuri te patundshme të dy ish-gjyqtarëve të Kushtetueses dhe një ish-gjyqtari të lartë të shkarkuar nga vetingu.
Sipas SPAK, ish-kreut të Kushtetueses, Bashkim Dedja, iu sekuestrua një apartament, ish-gjyqtarit kushtetues, Fatos Lulo, një dyqan.
Për ligjshmërinë e të njëjtave pasuri, ish-anëtarët e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë nuk bindën më herët as trupat e vetingut, që i përjashtuan nga sistemi i drejtësisë.