Aktualitet SPAK dërgon për gjykim gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka

SPAK dërgon për gjykim gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka, avokatin Ilir Pashaj dhe disa të pandehurve të tjerë.

Kërkesa vjen disa ditë pasi SPAK-u përfundoi hetimet. Vyshka do të përballet me drejtësinë për akuzën, “Korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim.

Dyshohet se ajo ka negociuar me familjarë të një të arrestuari, Xhulio Musaj për t’i lehtësuar pozitën penale.

Sipas hetimeve të nisura në vitin 2021, gjyqtarja ka kërkuar fillimisht 2 milionë lekë, por më pas e ka rritur kërkesën në 4 milionë.

Të pandehurit e tjerë, Ilir Pashaj (avokat), Taulant Ramollari dhe Xhulio Musaj akuzohen për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Andrea Tirana, për kryerjen e veprës penale të “Moskallëzimi i krimit”.