SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-shefin e Krimeve në Policinë e Elbasanit, Lonard Palushi, i cili akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve.
Nga hetimet ka rezultuar se, në vitin 2020, i pandehuri Leonard Palushi ka qenë efektiv i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan ku ka ushtruar detyrën e Shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i pandehuri Palushi ka krijuar raporte me të hetuarin E. A. dhe ka marrë tërthorazi prej tij përfitim të parregullt për të kryer në vijimësi veprime që lidhen me detyrën e tij si punonjës policie (në mbështetje të E. A.).
Në njoftimin e SPAK, lexohet: “Hetimi ka provuar se i pandehuri Leonard Palushi ka marrë në datën 23.06.2020 nga i hetuari E.A. një përfitim të parregullt automjet tip “Mercedes Benz”. I pandehuri Leonard Palushi duke qenë i ndërgjegjshëm që ky veprim ishte në kundërshtim me ligjin, ka kryer veprime kamufluese për të mbuluar faktin e dhurimit dhe pronarin e vërtetë të këtij mjeti duke paraqitur si blerës nje shtetas të njohur të tij. Në vijim i pandehuri Leonard Palushi e ka mbështetur të hetuarin E A. me veprime në kuadër të detyrës së tij si punonjës policie në mënyrë të vazhdueshme, duke u takuar me të, takime këto për të cilat eproret e tij deklaruan se nuk ishin në dijeni. Më konkretisht, në datën 27.07.2020 me kërkesë të E. A. i pandehuri Leonard Palushi ka dhënë informacionin mbi vendndodhjen e armës tek servisi i Manahasëve, me qëllim që sipas kërkesës së E.A, të krijohej konflikt midis dy grupeve. Mjeti Mercedes-Benz, C300, benzinë, përbën produkt të veprës penale sipas nenit 36 të Kodit Penal. Ky mjet është tjetërsuar më pas duke u shkëmbyer me mjetin tip TOYOTA RAV4, automat, ngjyrë Gri e Errët”.