Aktualitet SPAK dërgon për gjykim Safet Gjicin dhe Alma Kaçin

SPAK dërgon për gjykim Safet Gjicin dhe Alma Kaçin

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim dhe ka marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjicin, si dhe Alma Kaçin.

Në një njoftim për shtyp, SPAK njofton se në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me kërkesë Gjykatës së Posaçme për dërgimin në gjyq në ngarkim të të pandehurve, Safet Gjici dhe Alma Kaçi.

“Safet Gjici, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Kryetar i Bashkisë Kukës, i akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga neni 260 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023).

Alma Kaçi, e akuzuar për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga neni 245 i K. Penal, hetuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale (ekzekutuar në datë 24.06.2023)”, njofton SPAK.

Në përfundim të hetimeve paraprake në kuadër të procedimit penal janë përfituar prova dhe të dhëna nga analizimi i së cilave ka rezultuar se Alma Kaçi i ka ofruar dhe dhënë përfitime të parregullta ish-kryebashkiakut Safet Gjici kur ky i fundit ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë Kukës.

SPAK thotë se janë përfituar prova se Safet Gjici ka përfituar prej Alma Kaçit përfitimin e parregullt në formën e favorit seksual dhe i ka premtuar dhe ka pranuar të ndihmojë Kaçin me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kukës.