Aktualitet SPAK do të hetojë shpërthimin në Lushnje, nën akuzë është edhe deputeti...

SPAK do të hetojë shpërthimin në Lushnje, nën akuzë është edhe deputeti socialist Bujar Çela

Shpërthimi në Lushnje do të hetohet nga prokurorët e SPAK dhe do të gjykohet nga Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Dosja pritet të merret në dorë nga prokurorët në Tiranë për shkak se pjesë e fashikujve hetimorë ndodhet edhe deputeti socialist Bujar Çela i cili është nën hetim për ndërtim pa leje, shkelje e rregullave në punë dhe shkatërrim i pronës.

Vendimi për kalimin e dosjes u mor këtë të enjte nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e cila më parë shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë së Fierit dhe la në burg sipërmarrësin e punimeve në kapanonin në ndërtim, Leonard Gjini.

32-vjeçari është personi i vetëm i arrestuar një javë pas shpërthimit të bombulës ku mbetën të vdekur Roland dhe Elidon Hoxha dhe u plagosën 7 të tjerë.

Leonard Gjini akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në pune, me pasoja të rënda. Ai nuk e ka pranuar akuzën, me pretendimin se ka lidhur kontratë të rregullt me deputetin për të ndërtuar magazinën, por kompania e tij nuk e nisi kurrë punën dhe se punëtorët që ishin të pranishëm në objekt ditën e shpërthimit nuk njiheshin prej tij dhe nuk ishin të kompanisë së ndërtimit që ai zotëron.

Gjykata e Fierit ka argumentuar masën arrest në burg me arsyetimin se pavarësisht mosfillimit të punës nga kompania e Leonard Gjinit, ai duhet të mbikëqyrte objektin dhe ndalonte punimet nga të tjerët, pasi vetëm ai ishte i autorizuar me kontratë për nisjen e ndërtimit të magazinës.

Avokati në seancë kërkoi një masë më të lehtë sigurie duke ofruar edhe garanci pasurore, kërkesë që nuk u pranua nga gjykata.