Kryedemokrati Sali Berisha ka folur sërish në lidhje me komunikimin që i bëri SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë.
Gjatë fjalës së tij nga dritarja e banesës, kreu i PD-së, Berisha ka thënë se dokumenti lidhur me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” tejkalon çdo imagjinatë pasi sipas tij ka në qendër mashtrimin, falsifikimin dhe vetëposhtërimin e njeriut.
“Sot unë në zyrat e krimit, në zyrat e krimit të narkoshtetit, u deklarova mercenarëve, grupit të strukturuar kriminal Dumani-Damani, njëqind herë më i mirë Nuredini se Altini, Krajës dhe Mellonait, ish-oficerit të Sigurimit të Shtetit dhe ndrikullës së bandave, motrës sibiologjike të Taulantit me shumë mbiemra, se dokumenti juaj është një piramidë mashtrimi. Të dashur qytetarë dhe qytetare, dokumenti që ata kanë shkruajtur për katër vite tejkalon çdo imagjinatë në poshtërsinë, në mashtrimin, në falsifikimin, në vetëposhtërimin e njeriut. Ai dokument tregon se Edi Rama dhe ata që ndihmuan, që kryen reformën e Xhorxh Sorosit, iu dhanë shqiptarëve një monstër që nuk e kanë pasur kurrë të tillë nga ditët më të zeza të diktaturës. Krijuan te shqiptarët një grup të strukturuar kriminal, një organizatë kriminale që nuk njeh asnjë ligj, asnjë moral, asnjë Kushtetutë, asnjë normë njerëzore, por i kapur kokë e këmbë me krimin është i aftë me dorën e zezë të shkruajë çdo gjë, të vjedhë çdo gjë, të mbulojë çdo gjë, të rrëmbejë çdo gjë”, tha ish-kryeministri.
Sali Berisha ka akuzuar prokurorët e SPAK dhe po ashtu edhe kreun e kësaj prokurorie, Altin Dumanin, të cilën e ka quajtur “llum njerëzor dhe kriminel”.
Sipas Berishës, Dumani, heq sekuestron mbi pronat e vrasësve sipas milionave që merr.
“Meqenëse në dhjetëra e dhjetëra dokumente nga viti 1995 gjer në vitin 2009 që ka përfunduar procesi i njohjes, kthimit, parablerjes së objekteve, të tokës së grabitur, konfiskuar nga regjimi komunist 5 familjeve të Tiranës, për koincidencë, jo për ligj, nuk ekziston asnjë firmë e Sali Berishës. Çfarë kanë bërë këta horra? Çfarë kanë bërë këta fundërrina njerëzore që marrin 1 milion euro për pyetje që nuk i bëjnë për vrasje Ymer Lalës, që ndërtojnë vila me paratë e krimit, që si hiena kalojnë nga një zyrë në një tjetër duke marrë peng gjykatës, prokurorë, zyrtarë dhe të tjerë, çfarë kanë bërë? Meqenëse privatizimi nuk është filluar nga Sali Berisha dhe qeveria e tij, jo, privatizimi i klubit Partizani është nisur nga qeveria e Fatos Nanos me firmat e ministrave Angjeli, Klosi dhe të tjerë. Mirëpo ligji, neni 7 i ligjit të kthimit të pronave, përcaktonte se propozimi i ndryshimit të pronësisë të një prone publike apo shtetërore, se janë të ndryshme këto, detyron që pronën t’ia kthesh automatikisht të shpronësuarit. Këta zotërinj nisën procesin e privatizimit. Në këtë moment në mënyrë automatike, toka kalonte tek ish pronarët legjitimë. Tani, meqenëse aty janë firmat e ministrave socialistë, dëgjoni këta mashtrues ordinerë, këta të pafytyrë që nder nuk kanë, që turpërojnë të gjallë dhe të vdekur me poshtërsitë e tyre, shkruajnë se procesi i privatizimit filloi në vitin 1995, pikërisht filloi nga qeveria socialiste, por këtë nuk e thonë, në mënyrë që të thonë se filloi me Sali Berishën. Ky është Altin Dumani, ky llum njerëzor, ky kriminel që heq sekuestron mbi pronat e vrasësve, kundrejt milionave që merr. Që nuk pyet vrasësin e denoncuar për vrasje, Ymer Lalën, vetëm për ta amnistuar për vrasjen e tij. Ky është Kraja i Sigurimit të Shtetit, ky faqezi fundërrinë. Kjo është Millonai, kjo ndrikull krimi e bandës së Elbasanit. Kjo është drejtësia e re e Xhorxh Sorosit, e mafies së tij, që mashtron shqiptarët, që poshtëron shqiptarët”, tha Berisha.