Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën zyrtare Safet Gjicit.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit akuzohet për “korrupsion pasiv”, pasi u publikua një video nga zyra e tij, ku ai shfaqet në momente intime me një grua.
Akuza për të njëjtën vepër i është komunikuar edhe Alma Kaçit.
Më 16 qershor, Gjici u shfaq në një video të publikuar online duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua në zyrën e tij, në Bashkinë e Kukësit. Më vonë, u publikua një tjetër fragment i asaj videoje ku Gjici diskutonte me vajzën në fjalë për mundësinë e akordimit të saj të një tenderi për menaxhimin e qenve endacakë të qytetit të Kukësit.
Gjici drejtonte prej vitit 2019 Bashkinë e Kukësit dhe fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet e 14 majit, mandat që e ndërpreu pa filluar mirë.