Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një intervistë për RTSH foli për punën e institucionit që ai drejton dhe rezultatet e arritura. Teksa vlerësoi të gjithë ekipin e prokurorëve të Strukturës së Posaçme, Dumani u shpreh se rezultatet janë mënyra më e mirë e komunikimit.
“Prokurorët flasin me punë, jo me fjalë,” u shpreh ai, duke theksuar se SPAK ka tronditur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe ka provuar se askush nuk është mbi ligjin.
Dumani prezantoi një bilanc, që sipas tij është i suksesshëm, duke përmendur se janë sekuestruar dhe konfiskuar 150 milionë euro asete, një tregues i qartë i përparimit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai shtoi se hetimet kërkojnë kohë dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e marrëveshjeve dhe shkëmbimeve të informacionit me partnerët ndërkombëtarë.
Dumani premtoi rekrutime të reja për të përshpejtuar ritmin e hetimeve, duke njoftuar se së shpejti do të shtohen 40 hetues, çka do ta çojë stafin në 100 persona.
I pyetur për sulmet politike, Dumani u shpreh se nuk ndikohet nga retorika dhe se fokusimi i tij është vetëm zbatimi i ligjit. Ai konfirmoi gjithashtu se pasuritë e tij janë verifikuar në mënyrë rigoroze nga institucionet e vetingut dhe se asnjë dhuratë mbi vlerën e lejuar me ligj nuk është pranuar prej tij.
“Nuk është kënaqësi të fusësh dikë në burg, por është detyra jonë të ndjekim ligjin,” përfundoi Dumani, duke theksuar se SPAK është rezultat i punës së një ekipi të përkushtuar dhe jo i një individi të vetëm.