Kryesore SPAK kërkoi autorizim për Berishën, Këshilli i Mandateve vendos më 18 dhjetor

SPAK kërkoi autorizim për Berishën, Këshilli i Mandateve vendos më 18 dhjetor

Më 18 dhjetor në orën 12:00 do të mbahet në Kryesinë e Kuvendit mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Prokuroria e Posaçme kërkoi sot ndryshimin  e masës së sigurisë së kryedemokratit nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie” ose “arrest me burg”. Por për ta bërë këtë, Prokurorisë së Posaçme i duhet autorizimi i Kuvendit. Ndaj këtë paradite në zyrën e kryeparlamentares Lindita Nikolla ka mbërritur kjo kërkesë e firmosur nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ku kërkohet nga parlamenti t’i heqë imunitetin deputetit Sali Berisha.

Tashmë pritet të shohim javën e ardhshme se çfarë vendimi do të merret, ndërkohë që vetë Berisha është shprehur sot se është i gatshëm ta votojë heqjen e imunitetit ndaj tij, në rast se Kushtetuta zbatohet me përpikmëri.