SPAK i kërkoi gjykatës të dënojë me 10 vite burg ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, si fajtor për 3 akuza, atë të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave në dosjen e inceneratorit të Fierit.
7 vite burg ishte pretenca për ish-deputetin Alqi Bllako, për të cilin, prokurori kërkoi rëndim të akuzave, në “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë”, ndryshe nga sa kishte vendosur gjyqtari i seancës paraprake, që nuk e konsideroi funksionar të lartë. Avokati i Bllakos, Sokol Hazizaj, e quajti qëndrimin e SPAK si antikushtetues.
Dënimi më i lartë mes 15 të pandehurve në këtë dosje, u kërkua për Klodian Zoton, administratorin e kompanisë fituese të koncesionit të inceneratorit të Fierit. SPAK i tha Gjykatës ta dënojë atë me 12 vjet burg, për disa vepra penale.
Edhe për Arben Dervishajn, SPAK ashpërsoi qëndrimin, duke kërkuar dënimin e tij më 4 vite burg për 2 akuza, atë të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit të funksionarëve publik, edhe pse këto akuza u rrëzuan nga gjyqtari paraprak.
Dënime nga 3 deri në 7 vite burg u kërkuan për ish-zyrtarët e tjerë të ministrisë dhe administratorët e kompanisë të akuzuar në këtë dosje. Të gjithë do të përfitojnë ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
SPAK tha se ish-ministri Lefter Koka në bashkëpunim me ish-zyrtarët e tjerë shpërdoruan detyrën për të favorizuar kompaninë e Klodian Zotos, në fitimin e koncensionit dhe ka marrë në formën e ryshfetit 146 milionë lekë nga Zoto, nëpërmjet një skeme me punimet dhe blerjet fiktive për inceneratorin. Kjo skemë sipas SPAK i ka shkaktuar shtetit rreth 60 milionë lekë dëm.