SPAK kërkon dënimin e Vangjush Dakos me 4 vite burg për shpërdorim detyre në dy raste. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, SPAK kërkon që të dënohet me 2 vjet e 8 muaj burg.
Prokuroria kërkon që Fatmir Ejupi, topograf, inxhinier të cilësohet fajtor për falsifikim stampash, formularësh dhe te dënohet me 3 vjet burg, 2 vite për shkak të dënimit të shkurtuar.
Po ashtu, është kërkuar që ndërtuesi Fiqiri Farruku, të cilësohet fajtor për falsifikim vulash stampash e formularësh të dënohet me 3 vjet burg, 2 vite për shkak të dënimit të shkurtuar.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste.
Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.
Dako u arrestua në muajin qershor të vitit 2023 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.
Dako u la në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” me vendim të gjyqtares Flojera Davidhi.