Aktualitet SPAK kërkon 4 vite e 4 muaj burg për avokatin Alban Bengasi,...

SPAK kërkon 4 vite e 4 muaj burg për avokatin Alban Bengasi, porositi Dumanin t’i vriste ish-gruan për 120 mijë euro

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 6 vjet e 6 muaj burgim për avokatin Alban Bengasi për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij. Për shkak të gjykimit të shkurtuar ky dënim konvertohet në 4 vjet e 4 muaj burgim.

Sipas SPAK, avokati për shkak të konflikteve familjare ka porositur dhunimin ndaj ish-bashkëshortes. Gjithçka u zbulua pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Ai pretendon se Bengasi ka premtuar një pagesë prej 120 mijë eurosh për eliminimin fizik të ish-bashkëshortes.

Porosinë në fillim e ka marrë Festim Qoli, i cili më pas ja ka ofruar bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të avokatit Alban Bengasi dhe Nuredin Dumanit.

SPAK njofton se Nuredin Dumani, është personi që ka kryer ndjekjen e shtetases Blerta Bengasi, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, kurse Eljo Bitri ka rolin e ekzekutorit. Sipas Nuredin Dumanit, Bitri është personi që ka dhunuar Blerta Bengasin. Po ashtu në këtë çështje është përfshirë edhe një person tjetër i paidentifikuar i cili ka larguar Eljo Bitrin nga vendi i ngjarjes.