Prokuroria e Posaçme kërkoi 1 vit burg për ish-gjyqtarin e Kushtetuese Fatos Lulo që akuzohet për refuzim për deklarim, mosdeklarim ose fshehje pasurie.
Dënimi thotë SPAK të pezullohet duke u konvertuar në 2 vjet shërbim prove. Sipas SPAK, Lulo ka bilanc negativ të të ardhurave në dy pasuri, një apartament në Tiranë dhe në një zyre 172 m2 e deklaruar si e dhuruar në Rrugën e Durrësit. Lidhur me këtë dosje, Lulo pritet që në seancën e radhës të paraqesë argumentat e tij për të kundërshtuar akuzën.
Atij i është sekuestruar një dyqan me sipërfaqe 172 m2 në Tiranë.
Ish-gjyqtari ka deklaruar se dyqanin në Rrugën e Durrësit në Tiranë, me vlerë 120 mijë euro, ia ka bërë dhuratë motra. Kjo e fundit, sipas tij, i ka dhuruar edhe 100 mijë euro, ndërsa ka marrë hua edhe 480 mijë euro. Por, komisionet e Vetingut kanë konstatuar se motra e Fatos Lulos nuk ka pasur të ardhura të ligjshme financiare për të blerë dhe më pas dhuruar dyqanin me vlerë 120 mijë euro.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo ishte magjistrati i parë që iu nënshtrua procesit të vetingut dhe gjithashtu i pari që humbi vendin e punës për shkak se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se pasuria e tij qindra mijëra euroshe nuk mund të justifikohej me burime të ligjshme.
Ai u shkarkua nga detyra më 23 mars të vitit 2018.