SPAK kërkoi në Gjykatë konfiskimin e 23 pasurive në emër të biznesmenit Pashuk Gjini dhe njerëzve të tij të afërt, si të pajustifikuara me burime të ligjshme prej tyre.
6 shoqëri tregtare të cilat operojnë kryesisht në fushën e ndërtimit si “Alesio 2014” apo “Garden Residence Turdiu”, pasuri tokë truall dhe arë, ndërtesa dhe apartamente në Tiranë, si dhe 4 makina sipas Prokurorisë duhet t’i kalojnë në favor shtetit.
Me anë të një komunikimi zyrtar, SPAK thotë se hetimi pasuror i kryer nga hetuesit e BKH dhe Policisë së Shtetit, tregoi se niveli ekonomik i Gjinit dhe të afërmve të tij është i pajustifikuar dhe se ka dyshime që pasuritë të jenë krijuar nga aktiviteti i trafikut të drogave në të cilin ka qenë i përfshirë biznesmeni ne Spanjë.
Referuar hetimeve, Prokuroria thotë se në 2010-ën, Pashuk Gjini është shpallur fajtor për trafikimin në vitin 2006 të 50 kilogramëve heroinë nga Holanda drejt Spanjës, me vlere 1.9 milionë Euro dhe është dënuar me 8 vjet e 9 muaj burgim. Bashkë me të u dënua me të njëjtën masë edhe shtetasi Sulejman Shkalla, ndërsa 2 holandezë dhe 1 spanjoll u dënuan me nga 10 vjet burg.
Pashuk Gjini u arratis nga Spanja dhe u kthye ne Shqipëri ku mbajti emrin Anton dhe nisi një sërë aktivitetesh biznesi, kryesisht në fushën e ndërtimit.
SPAK kërkon konfiskimin e katër apartamenteve të vëllezërve Bardhok Shota dhe Kastriot Shota nga Fushë Kruja. Një pasuri e paluajtshme me sipërfaqe ndërtimi 648.7 m² në pronësi të babait të tij, si dhe tre apartamente po në pronësi të babait të tyre Gj.Shota. Këtij të fundit i është sekuestruar edhe një motomjet.
Dy vëllezërit janë hetuar dhe janë dënuar në Belgjikë në vitin 2015 për vepra penale të ndryshme, si dhe për pjesëmarrje në grup kriminal droge. Gjatë 2020-2021 ata janë hetuar për grup të strukturuar kriminal, pasi janë marrë me drogë gjatë periudhës qershor-korrik 2020, si dhe nga autoritetet ligjzbatuese belge janë zbuluar disa plantacione me kanabis në zonat Saint-Josse-Ten-Noode dhe Antëerp. Hetimet pasurore në lidhje me këtë proçedim pasuror janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe shërbimet e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë, nën drejtimin e Prokurorit të Posaçëm.
SPAK kërkon edhe konfiskimin e pasurive të Veip Ormënaj dhe personave të lidhur me të. Konkretisht, një sipërfaqe toke në Orkikum, 8 apartamente si dhe dy depozita 190.013.78 dhe 68. 987.00 Eurosh.
Veip Ormënaj është dënuar në Belgjikë për veprat penale të “Trafikim i substancave narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Veip Ormënaj, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale.
Hetimet pasurore në lidhje me këtë procedim pasuror janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe shërbimet e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë, nën drejtimin e Prokurorit të Posaçëm.