Kryesore SPAK kërkon në gjykatë arrestimin e Arben Ahmetajt

SPAK kërkon në gjykatë arrestimin e Arben Ahmetajt

Pasi Parlamenti i dha dritën jeshile, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një kërkesë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Bashkë me kërkesën për arrestimin SPAK ka kërkuar edhe leje për kontrollin e banesave të tij.

Kërkesa e SPAK është marrë nga gjyqtari Erjon Bani, i cili do të duhet të shqyrtojë materialin hetimor të SPAK në një afat prej 48 orësh dhe më pas të dalë me një vendim.

Pas vendimit të gjykatës, nëse pranohet kërkesa e SPAK, pritet që policia të ushtrojë kontrolle në të gjitha banesat e Ahmetajt dhe të bëjë kërkimet për ta gjetur atë.

Ligjërisht procedura e kërkimit në territorin shqiptar te ish-ministrit do të marrë të paktën dy javë kohë, deri në deklarimin e tij si të ikur. Vetëm pas këtij momenti, SPAK bën shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar.

Ndërkohë, SPAK ka tashmë mundësinë të hetojë po ashtu udhëtimet e dyshimta të Arben Ahmetaj, që deri ditën e sotme nuk mund ti kontrollonte në sistemin TIMS për shkak të imunitetit.

Nuk përjashtohet mundësia që në kërkesën e SPAK dorëzuar në GJKKO të ketë urdhër-arreste edhe për persona të tjerë krahas Arben Ahmetaj, nisur nga fakti që SPAK i kërkoi Këshillit të Mandateve të mbante sekret dosjen voluminoze, për faktin se ka persona të tjerë të përfshirë.

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është person nën hetim nga SPAK për akuzën e korrupsionit në 6 raste, fshehjes së pasurisë dhe pastrimit të parave.