10 ditë pas ankimit të SPAK, është caktuar gjyqtari që do të shqyrtojë çështjen ndaj Sali Berishës.
SPAK ka kërkuar rikthimin e Berishës në masën e “arrestit të shtëpisë”.
Shorti elektronik ka përcaktuar gjyqtarin Engert Pllumbi, i cili do të shqyrtojë ankimin e SPAK që kërkon rikthimin e Berishës në arrest shtëpie.
Berisha qëndroi i izoluar në banesën e tij për 11 muaj, ndërsa fitoi lirinë më 27 Nëntor 2024.
Ishte gjyqtarja Flojera Davidhi që pranoi kërkesën e bërë nga avokatët e ish-kryeministrit se nuk ekzistonte asnjë kusht apo nevojë për të vijuar ndaj tij masa e sigurisë, sa kohë edhe hetimet kanë përfunduar.
Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë, janë të dyshuar për përfshirje në korrupsion e pastrim parash gjatë procedurave të privatizimit të kompleksit “Partizani”.