Aktualitet SPAK kërkon rikthimin në qeli të Alqi Bllakos, Apeli vendos më 9...

SPAK kërkon rikthimin në qeli të Alqi Bllakos, Apeli vendos më 9 nëntor

Gjykata e Apelit ka vendosur të shqyrtojë më datë 9 nëntor, ankimimin që SPAK i bëri vendimit të Gjykatës së Posaçme për lirimin e Alqi Bllakos.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar çështjen nr. 180 akti, datë 04.11.2022, në ngarkim të personit nën hetim Alqi Bllako, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër vendimit nr. 382, datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi caktoi seancën gjyqësore për shqyrtimin e kësaj çështje më 09.11.2022, ora 09:00″, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

6 muaj pasi u prangos, ish-deputeti Alqi Bllako u lirua nga gjykata në fillim të muajit Tetor, për t’u hetuar në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në lidhje me koncensionin e inceneratorit të Fierit. Ai fitoi lirinë me argumentet se gjendja familjare është e rënduar, ka fëmijë të mitur për t’u kujdesur dhe se hetimet për dosjen janë drejt fundit.

Por për SPAK, këto nuk janë argumente ligjore dhe janë të pamjaftueshme për të ndryshuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, që sipas prokurorisë është e nevojshme të vijojë për të mos cenuar hetimin dhe rrezikuar largimin e ish-deputetit socialist.