Aktualitet SPAK mbyll hetimet për “Xibrakën”: Olsi Rama s’ka lidhje me aktivitetin kriminal

SPAK mbyll hetimet për “Xibrakën”: Olsi Rama s’ka lidhje me aktivitetin kriminal

SPAK ka mbyllur hetimet e rinisura në vitin 2024 për dosjen e “Xibrakës”.

Përmes një reagimi, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se nga hetimet e kryera nuk ka asnjë provë apo fakt që e lidh vëllain e kryeministrit Olsi Rama me këtë aktivitet kriminal.

Shton po ashtu se nuk ka asnjë autor tjetër mbi të cilin të rëndojnë veprat penale.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr.335/1 të vitit 2016. Ky procedim lidhej me veprat penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimit të narkotikëve dhe kryerjes së veprave penale nga grupet e strukturuara kriminale, të parashikuara në nenet përkatëse të Kodit Penal. Hetimet rifilluan pas administrimit të një informacioni të dërguar nga deputeti Gazment Bardhi, i cili pretendoi përfshirjen e shtetasit Olsi Rama në veprimtari të paligjshme. Në kuadër të hetimeve, SPAK ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë bashkëpunimin me autoritetet kompetente të Kosovës. Nga hetimet ka rezultuar se nuk ekzistojnë prova apo fakte që lidhin shtetasin Olsi Rama me aktivitetin kriminal, për të cilin janë dënuar më parë disa individë. Gjithashtu, nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë”, thotë SPAK.

Ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi i cili hodhi akuza ndaj Olsi Ramës se kishte lidhje me laboratorin e drogës në Mars të vitit të shkuar. Më pas ai e denoncoi në SPAK, si person që kishte dijeni për çështjen. Teksa mohoi pretendimet e demokratit, Olsi Rama e paditi atë për “kallëzim të rremë” duke i konsideruar akuzat si lëvizje politike. Edhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar herë pas here sa i takon kësaj çështjeje.

Për këtë dosje, hetimet janë mbyllur që në vitin 2016, kohë kur Prokuroria për Krimet e Rënda u komunikoi akuzën 9 personave.