Çfarëdo mase sigurie që të vendosë gjykata ndaj tij, Sali Berisha do të vijojë që të jetë në krye të grupimit të tij dhe do të përmbushë detyrimet e tij.
Kjo ishte ajo që e bëri të qartë kreu i Rithemelimit në një bashkëbisedim me qytetarët këtë të hënë.
Berisha theksoi se Partia Demokratike do të ketë një drejtim të strukturuar edhe në mungesë të tij, por shtoi se çdo përpjekje e kundërshtarit të tij politik për ta privuar nga drejtimi i partisë do të dështojë.
“Unë do t’i përmbush të gjitha funksionet e mia. Edi Rama po e bën këtë se ka tmerr nga Sali Berisha. Unë ju garantoj që do të bëj që kjo përpjekje e tij të dështojë…Kryesia e ngushtë e PD është organi që do të merren me drejtin e punëve të saj.”
“Kudo që të jetë, kryetari do t’i përmbushë detyrimet e tij”, theksoi Sali Berisha.
Në deklaratën për mediat, Sali Berisha u ka kthyer përgjigje të gjithë atyre që e kanë akuzuar se nuk po përfill Gjykatat, Prokurorinë, pra në tërësi institucionet e drejtësisë.
“Kam përfillur Gjykatën, kam dërguar avokatët e mi. Kam përfillur prokurorinë dhe kam dërguar përballë tyre avokatët e tim, kam përfillur komisionin parlamentar dhe kam dërguar avokatët e mi, kam përfillur GJK, por çfarë nuk kam përfillur unë, nuk kam përfillur vendimin anti-kushtetues të një gjykatëseje e cila është shkarkuar nga Berisha në 8 shkurt 1996 dhe në përputhje me ligjet e këtij vendi,. Vendimet e Gjykatave për mua janë ligj, por ligjet kanë hierarkinë e tyre, në hierarkinë e tyre Kushtetuta është ligji suprem, Kushtetuta urdhëron çdo qytetarët që të mos pranojë asnjë vendim antiligjor. Pra në këtë betejë unë nuk bëra gjë tjetër veçse mbrojtja Kushtetutën”, u shpreh ai.
Duke bërë një krahasim me protestat e opozitës në Serbi, Berisha hodhi akuza se kryeministri Edi Rama është më i keq se presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
“Rama bën shumë më pak zgjedhje të lira se Vuçiç”, deklaroi ish-kryeministri.
Në fund, ai shtoi se me kryeministrin Edi Rama, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kujtojmë se SPAK do t’i komunikojë të martën Sali Berishës masën e sigurimit “arrest me burg” ose “arrest në shtëpi” pasi Parlamenti aprovoi seancën e së enjtes zhveshjen e ish-kryeministrit nga imuniteti që i siguron mandati i deputetit.