SPAK nis hetimet për Fatmir Mediun, dosjen e të cilit e mori disa ditë më parë nga Gjykata e Lartë.
Kalimi i akteve është bërë pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Kjo e fundit rihapi gjykimin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes për dosjen e Gërdecit.
Tashmë SPAK duhet të regjistrojë hetimin dhe të vendosë nëse do kryejë veprime shtesë, apo do të kalojë në gjykim themeli çështjen.
Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është ri-hapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.
Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta ri-gjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.
Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.
Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.