Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar se sot ka nisur procedurat për ekstradimin e Adriatik Llallës në Shqipëri.
Në një njoftim për mediat, SPAK njofton se i janë përcjellë të gjitha dokumentet Ministrisë së Drejtësisë.
“Më datë 13.12.2021 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mori njoftim nga zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tiran, se në datë 10.12.2021 autoritetet policore italiane kanë arrestuar me qëllim ekstradimi në vendin tonë shtetasin Adriatik Llalla.
Sot në datën 14.12.2021 Prokuroria e Posaçme i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e shtetasit Adriatik Llalla nga Italia në Shqipëri”, njofton SPAK.
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla u arrestua në Romë, 1 muaj nga shpallja në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimi në Shqipëri. Ish-kryeprokurori u dënua në shtator, nga Gjykata e Apelit me 2 vite burg për akuzën e “Mos deklarimit të pasurisë” në 3 raste, dënim ndaj të cilit ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Llalla, u largua nga vendi vetëm pak ditë se Apeli të jepte dënimin e formës së prerë, ndërsa nga arratia, nëpërmjet avokatit të tij kërkoi dy herë pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg me argumentin se është në gjendje të rëndë shëndetësore.