Aktualitet “SPAK po tallet me shqiptarët”, Yuri Kim kundër Ramës: Këto nuk janë...

“SPAK po tallet me shqiptarët”, Yuri Kim kundër Ramës: Këto nuk janë standarde

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë të organizuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ka deklaruar se Shqipëria duhet të ketë një drejtësi me standarde të BE-së.

“Nuk duhet të vazhdojmë me drejtësinë e të shkuarës, drejtësia që duhet të vijë në Shqipëri është ajo me standarde që janë në përputhje me BE. Kjo është ajo që njerëzit presin”, tha Kim.

Gjatë konferencës me teme “Drejtësia në kohë sfidash”, ambasadorja shprehu rezerva dhe për qëndrimin e mbajtur nga kryeministri, Rama në Asamblenë Kombëtare të PS ku lëshoi kritika ndaj SPAK.

“Që reforma në drejtësi të jetë e suksesshme duhet që drejtuesit politikë në pushtet ose jo, të mos thonë drejtësia futi anën time në burg. Këto nuk janë standardet e drejtësisë”, shtoi Kim.

Të shtunën, gjatë Asamblesë së PS, Rama e cilësoi punën e SPAK si “tallje të madhe me shqiptarët” dhe se nuk po heton Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Rama tha se SPAK është duke e humbur luftën me të keqen në vend, ndërsa paralajmëroi se durimit të qeverisë lidhur me këtë situatë po i vjen fundi.