Një muaj pas nisjes së Operacionit Forca e Ligjit për goditjen e pasurive që burojnë nga krimi, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar sekuestrimin e 31 pasurive, ndërsa 29 të tjera rezultojnë se janë kryer në kundërshtim me ligjin nga OFL.
Siç bëhet me dije në njoftimin e publikuar nga SPAK, dosja me 29 pasuritë do t’i kthehet policisë për të kryer veprime të tjera hetimore. Deri tani, OFL ka dorëzuar në SPAK 62 raste për verifikim dhe ka kërkuar sekuestrimin e 101 pasurive me dyshimin se janë vendosur përmes aktivitetit kriminal.
70 prej tyre janë automjete, ndërsa pjesa tjetër ndërtesa dhe sipërfaqe toke. Hetuesit kanë verifikuar 27 dosje dhe i kanë kërkuar Gjykatës Speciale që të vendosë në sekuestro 31 pasuri të individëve të dënuar për vepra të rënda penale.
Po kështu Prokuroria e Posaçme është duke vlerësuar 35 kërkesat e tjera të paraqitura nga Policia e Shtetit, ku janë evidentuar 41 pasuri, për të cilat do të vendoset brenda 15 ditësh nëse do sekuestrohen ose do t’i kthehen policisë për veprime të mëtejshme.