Aktualitet SPAK sekuestron telefonin e Ajola Xoxës

SPAK sekuestron telefonin e Ajola Xoxës

Prokuroria e Posaçme ka marrë autorizimin nga GJKKO për sekuestrimin e telefonit të Ajola Xoxes, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Mësohet se agjentët e BKH kanë shkuar në banesën e Veliajt për të kryer kontroll në telefonin e Xoxes, ndërsa kujtojmë se Veliaj po hetohet nga SPAK për dosjen 5D, ndërsa është në hetim pasuror së bashku me familjen.

Telefoni i Ajola Xoxës dhe vëllait të Veliajt është sekuestruar në kuadër të hetimit pasuror, nga prokurori Olsi Dado.

Vetë Prokuroria e Posaçme, në një reagim të shkurtër për mediat tha se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”, thuhet në reagimin e SPAK.

Ndërkohë, Veliaj është aktualisht në Hamburg të Gjermanisë, ku po zhvillon një vizitë dyditore.

Gjatë vizitës, ai është pritur nga kryebashkiaku i parë i Hamburgut, Peter Tschentscher.

Gjatë ditës së sotme, Veliaj do të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Dhoma e Tregtisë së Hamburgut, ku do të mblidhen kompani gjermane të interesuara për të investuar në Shqipëri.