Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetim për koncesionet e inceneratorëve. Pas padisë së nismës Thurje, SPAK ka krijuar dyshime për afera korruptive me koncesionet.
Televizioni Klan mëson se prokurorët e SPAK, dyshojnë se personat që kanë përfituar koncesionet e inceneratorëve kanë falsifikuar dokumentet, çka vërtetohet edhe nga akuzat.
Janë 5 të tilla mbi të cilat po zhvillohen hetimet për disa persona, zyrtarë dhe përfitues të këtyre koncesioneve të shumëdiskutueshme, të vëna shpesh herë edhe nën akuzë nga opozita.
SPAK i ka kërkuar informacion Qendrës Kombëtare të Biznesit për t’u informuar lidhur me aktivitetin e kompanive që kanë fituar koncesionet, Agjencisë së Prokurorimit Publik që ka miratuar këto koncesione, por edhe disa institucioneve të tjera të cilët kanë patur dijeni.
Gjithashtu SPAK ka kërkuar edhe raportin e KLSH, i cili ka konstatuar parregullsi në pagesat që u janë bërë koncesioneve të inceneratorëve në Fier, Elbasan dhe Tiranë.
Nisma “Thurje”, që dorëzoi padinë në SPAK, thotë se inceneratorët në Shqipëri, nga i Tiranës, tek i Elbasanit dhe i Fierit kanë lidhje me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, të cilët lidhen me kompani të regjistruar jashtë vendit.
3 inceneratorët kanë një kosto të madhe për buxhetin e shtetit, ku vetëm ai i Tiranës do të kushtojë 174 milionë Euro. Sipas të dhënave nga Thesari i Shtetit, për 3 inceneratorët janë paguar vetëm në muajin Dhjetor 2019 rreth 47 milionë euro.
Ne Qershor, Partia Demokratike e akuzoi qeverinë se i ka paguar 23 milionë Euro inceneratorit të Fierit, ndonëse ai nuk është ndërtuar ende dhe po merr para prej 3 vjetësh nga buxheti i shtetit.
Po sipas Partisë Demokratike, qeveria e kishte mbyllur qëllimisht vendgrumbullimin e mbeturinave në Durrës për të shtuar me “100 milionë euro” pagesat e inceneratorit të Tiranës.
Hetimet e SPAK pritet të hedhin dritë mbi këto koncesione të shumëpërfolura e mbi të cilat janë ngritur mjaft dyshime për afera korruptive e për pastrim parash. /Tv Klan