Sport Spalletti me dhimbje koke, Barella e Fagioli rrezikojnë Shqipërinë

Spalletti me dhimbje koke, Barella e Fagioli rrezikojnë Shqipërinë

Italia do të jetë kundërshtari i parë i Shqipërisë në Europianin Gjermani 2024, teksa të kaltrit e Spallettit kanë kryer edhe seancën e parë stërvitore në tokën gjermane, saktësisht në Iserlohn, ku edhe do të qëndrojnë gjatë gjithë kompeticionit.

Seanca ka qenë e hapur dhe është ndjekur nga një numër i konsiderueshëm italianësh, të cilët në fund kanë bashkëbiseduar edhe me trajnerin Spalletti, me këtë të fundit që nuk ka ngurruar të evidentojë rëndësinë e mbështetjes që vjen nga tribuna.

Por kur kanë mbetur edhe katër ditë nga përballja me Shqipërinë e Sylvinhos, Spalletti nuk mund të qëndrojë plotësisht i qetë, pasi mesfusha është reparti që ia prish jo pak gjumin.

Nicolo Barella është prej ditësh i dëmtuar dhe pavarësisht optimizmit të mjekëve, duket e vështirë që t’ia dalë të luajë ndaj kuqezinjve mbrëmjen e të shtunës në Dortmund.

Ndërkohë, në seancën e të martës në Iserlohn, nuk janë stërvitur me skuadrën as Nicolo Fagioli i Juventusit dhe Davide Frattesi i Interit. Të dy kanë shfaqur probleme fizike, por nëse për Frattesin nuk duket asgjë shqetësuese, krejt ndryshe është situata e Fagiolit.

Ky i fundit vjen pas një pezullimi të gjatë disa mujor dhe nuk ka ritmin e ndeshjeve, ndaj dëmtimi mund t’i ndikojë jo pak në formën fizike dhe gjasat që të luajë ndaj Shqipërisë, janë pakësuar ndjeshëm edhe për të.