Italia edhe pse konsiderohet favorite ndeshjen hapëse të Grupit B, që do të luhet në Dortmund përballë Shqipërisë, nuk është në ditët më të mira të saj. Presioni është në anën e kampionëve në fuqi të këtij kompeticioni, pasi në rast të një rezultati negativ nesër në mbrëmje ndaj kuqezinjve, detyra e tyre për të kaluar grupin me Spanjën dhe Kroacinë si rivalë të ardhshëm do të vështirësohej në maksimum.
Në konferencën për shtyp të të kaltërve doli trajneri Luciano Spalleti dhe kapiteni Gigio Donnarumma. Tekniku italian tregoi se është gati të debutojë në Europian, por nënvizoi se një kundërshtar si Shqipëria nuk duhet nënvlerësuar aspak. Përkundrazi sipas tij rëndësia që duhet ti jepet kësaj sfide, si e para në Europian, duhet të jetë edhe më e madhe.
“Ka pak emocion kur luajmë ndeshje të këtij niveli, por është një gjë e bukur dhe pozitive që e bën këtë stadium në Dortmund një vend të mrekullueshëm.
Takimi është i vështirë sepse Sylvinho i ka dhënë ekuilibër Shqipërisë dhe do të luajnë kundër nesh lojtarë që e njohin mirë kampionatin tonë si Ramadani, Asllani, Bajrami, Hysaj. Do të jetë një ndeshje e ashpër.
Por ne jemi protagonistët e ëndrrës së çdo italiani që në fëmijëri la shkollën me topin nën krah dhe u kthye në mbrëmje me fytyrë të djersitur, këmbë të lodhura dhe gjunjë të thyer. Duhet të tregojmë se jemi në nivelin që presin tifozët. Italia ime do të jetë në gjendje të tregojë atë që dëshiron.”
Spalleti ka zbuluar detaje nga formacioni me të cilin axurrët mund të zbresin në fushë përballë kuqezinjve të Sylvinho-s, duke mos përjashtuar tezën e mbrojtjes me 4. Sipas tij Mancini dhe Bastoni kanë përvojën e nevojshme për të zënë në qendër të mbrojtjes vendin e Acerbit, i cili u dëmtua në nisje të fazë përgatitore për Europianin.
“Mancini ka përvojë, domethënë ka marrë vendime më të rëndësishme se kushdo tjetër. Të jesh i detyruar të vendosësh të ndihmon, por edhe Bastoni mund të jetë lider. Buongiorno dhe Calafiori kanë besimin dhe duan të arrijnë një nivel të lartë, por e vërteta është se unë kam një grup shumë serioz që punon në mënyrën e duhur. Mund të vendosim të luajmë me katër, por edhe me tre në mënyrë sulmuese. Më pas mund të propozojmë edhe dy sulmuesit, por mendojmë se mund të luajmë me të gjitha qëndrimet që duam. Nëse mund ta kontrolloni lojën, atëherë vendosni.”
Sa i përket dilemave për mesfushën për herë të parë tekniku italian ka konfirmuar rikthimin e Barella-s, për të cilin përflitej se nuk do të zbriste në fushë për shkak dëmtimi. Spalleti po ashtu ka ngritur lart vlerat e Scamacca-s, i cili mund të vendoset në majë të sulmit.
“Ai punoi me grupin duke bërë gjithçka, sot do ta shohim sërish në stërvitje. Duhet të dëgjoni edhe ndjenjat tuaja, por rëndësi ka mendimi i mjekëve. Gjithçka sugjeron se ai do të jetë i disponueshëm. Scamacca është rritur shumë kohët e fundit. Ai është një lojtar i kompletuar, ka gjithçka. Ndonjëherë ju duhet të krahasoni performancën tuaj me atë të të tjerëve, sepse nëse bëni një përpjekje shtesë…”
Ndërkohë, kapiteni i të kaltërve, Gigio Donnarumma ka vlerësuar Shqipërinë duke thënë se kuqezinjtë janë agresivë dhe të shpejtë, ndaj Italia duhet të mos lejojë hapësira kundërsulmi për djemtë e Silvinjos.
“Debutimi është sigurisht sfida më tinëzare. Grupi është i vështirë dhe në ndeshjen ndaj Shqipërisë ka pasur gracka, do të duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe në rrugën e duhur që në fillim. Nuk mund të luajmë me 80%. Për mua ata janë një ekip i shpejtë dhe agresiv, me individë të fortë. Do të duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e teprojmë dhe të gjejmë veten në kundërsulmin e tyre. Kompaktësia dhe ekuilibri do të nevojiten gjatë gjithë ndeshjes. Të fitosh nesër do të thotë të vendosësh një bllok ndërtimi drejt kualifikimit, ndeshja e parë është gjithmonë e rëndësishme. Grupi është i vështirë dhe marrja e tre pikëve është e rëndësishme, përndryshe do të kishim edhe më shumë presion në dy ndeshjet e ardhshme.”