Sport Spallettit i mungojnë golat e Icardit: Fjala e mbajtur para ekipit vlen...

Spallettit i mungojnë golat e Icardit: Fjala e mbajtur para ekipit vlen edhe për të

Pas barazimit në shtëpi me Sassuolo, të shtunën e kaluar, Interi është duke u përgatitur për ndeshjen në transfertë, me Torinon. Barazimi me Sassuolo e ngadalësoi pak ritmin e të tijve në garë, por trajneri nga Certaldo nuk duket i shqetësuar: “Vitin e kaluar ka qenë një periudhë e njëjtë e komplikuar, në fakt. Sidoqoftë, tani nuk e ndiej të bëj krahasime me atë kohë. Një moment i tillë mund të ndodhë, por është e rëndësishme që të gjithë, gjithmonë të japim më të mirën për përmbushjen e objektivave që kemi”.

Goli i fundit i Icardit në kampionat daton më 15 dhjetor dhe ishte vendimtar për të mundur Udinese, ndërsa trajneri zikaltër ka këtë shpjegim për situatën që po kalon kapiteni: “Mauro është duke bërë mirë, lëvizjet e tij janë në funksion të ekipit. Jam i kënaqur me të. Pastaj, sigurisht, ka raste kur çdo gjë del mirë dhe të tjera me më pak fat. Fjala e mbajtur prej meje si trajner para ekipit vlen edhe për kapitenin tonë”.

Perisic vazhdon performancën e tij të errët, ndaj kanë nisur edhe zërat e merkatos. Spalleti nënvizon në këtë drejtim: “Ai është një lojtar i fortë dhe si i tillë e di se çfarë duhet të bëjë. Është normale që prej tij të presim gjithmonë diçka më shumë se nga të tjerët. Kjo ambicie është edhe në natyrën e tij”.

Fitorja ndaj Torinos, që drejtohet nga Mazzarri, nuk do të jetë e lehtë. Këtë gjë e paralajmëron trajneri i zikaltërve: “Mazzarri është si ato inxhinierët, që e kanë filluar profesionin shumë poshtë, nën tokë, por ia ka dalë të ngjitet shumë lart. Cilësitë e ekipeve të tij njihen nga të gjithë. Aq sa do të jetë e mundur, ne do të duhet ta mbajmë topin larg nga zona jonë. Parashikoj një lojë të ashpër”.