Kroatët e shumtë bënë tifo, por ishin spanjollët ata që shënuan.
Spanja u tregua e frikshme në ndeshjen e saj të parë në Euro 2024 duke paralajmëruar rivalët e grupit. “La Roha” shkatërroi 3-0 Kroacinë në takimin e zhvilluar në Berlin, ku gjithçka u vendos në pjesën e parë.
Thuajse gjysmë ore lojë u zhvillua në ekuilibër të plotë, por pikërisht në minutën e 29-të Alvaro Morata i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes dhe përballë portierit Livakovic e dërgoi topin në rrjetë.
Vetëm dy minuta më vonë, Fabian Ruiz vallëzon mes mbrojtjes kroate, duke shënuar një gol të mrekullueshëm.
Pa u mbyllur pjesa e parë, vjen dhe goli i tretë i shënuar nga Carvajal, pas asistit të dhënë nga Yamal.
Në pjesën e dytë, Kroacia fitoi një 11-metërsh, por që u shpërdorua nga Petkovic. Në vijim të lojës, Majer e dërgoi topin në rrjetë, por që u anulua për pozicion jashtë loje.
Spanja me këtë fitore ngjitet menjëherë e para e Grupit B.