Bota Spanja dhe Franca kundër pezullimit të ndihmës për territoret palestineze

Spanja dhe Franca kundër pezullimit të ndihmës për territoret palestineze

Ministri në detyrë i Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares thotë se qeveria e tij kundërshton pezullimin e propozuar të ndihmës së Bashkimit Evropian për territoret e pushtuara palestineze.

“Ky bashkëpunim duhet të vazhdojë. Ne nuk mund ta ngatërrojmë Hamasin, i cili është në listën e grupeve terroriste të BE-së, me popullsinë palestineze, apo autoritetin palestinez apo organizatat e Kombeve të Bashkuara në terren”, tha Albares në një intervistë për radion spanjolle “Cadena SER”.

Ai shtoi se territoret palestineze ka të ngjarë të kenë nevojë për më shumë ndihmë në të ardhmen e afërt.

Gjithashtu edhe Franca nuk është në favor të pezullimit të ndihmës që përfiton drejtpërdrejt palestinezët në përgjigje të një shpërthimi të fundit të dhunës në Izrael, ka thënë ministria e jashtme në Paris.

“Ne nuk jemi në favor të pezullimit të ndihmës që përfiton drejtpërdrejt popullin palestinez dhe këtë ia kemi bërë të qartë Komisionit Evropian dje”, tha ministria në një deklaratë.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të takohen për të diskutuar çështjen të martën pasdite.

Një ditë më parë Bashkimi Evropian pezulloi zyrtarisht të gjithë fondet e ndihmave për palestinezët, pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit dhe fillimit të një lufte të vërtetë mes shtetit hebre dhe grupimit terrorist.

Lajmin e bëri me dije vetë komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, i pyetur rreth çështjes.

Më parë, u bë fillimisht me dije nga Austria, se po pezullonte të gjithë fondet e ndihmës për palestinezët – një ekuivalent prej 20 milionë dollarësh financime.

Njëkohësisht, Gjermania pezulloi fondet ndaj palestinezëve, në mënyrë që të evitohet financimi i Hamasit prej tyre.