Bota Spanja merr vendimin: Pse varri i diktatorit Franko duhet të jetë diskret

Spanja merr vendimin: Pse varri i diktatorit Franko duhet të jetë diskret

Zhvarrosja e gjeneralit spanjoll Françesko Franko tani ka nisur dhe eshtrat e ish-diktatorit janë duke u marrë nga mauzoleumi në Luginën e të Rënëve drejt një varri diskret. Veprimi erdhi pasi familja e diktatorit famëkeq humbi një betejë të gjatë ligjore lidhur me vendvarrimin e tij.

Familja dëshironte të mbante eshtrat e tij në kompleksin e deritanishëm ose t’i transferojë në një vend varrosje në Katedralen Katolike Romake Almudena, ngjitur me Pallatin Mbretëror në qendër të Madridit.

Rivarrimi po bëhet nga familja e ngushtë. Ministrja e Drejtësisë Dolores Delgado do të jetë e pranishme në rolin e saj si “Notere e Mbretërisë”.

Franko, një figurë përçarëse

Franko drejtoi një diktaturë ushtarake në Spanjë nga 1939 deri në vdekjen e tij në 1975. Sundimi i tij u karakterizua nga shtypje politike brutale dhe ai mbetet një figurë polarizuese politike në vend.

Mijëra të burgosur politikë dhe njerëz të tjerë mbeten të zhdukur, edhe katër dekada pasi mbaroi sundimi i tij.

Pas kalimit të Spanjës në demokraci në vitet 1970, shumë anëtarë të regjimit të Frankos u falën për krimet e tyre në emër të pajtimit kombëtar. Por këto falje kanë nxitur pakënaqësi në të gjithë vendin. Lugina e Mauzoleut të të Rënëve, ku ndodheshin Franko dhe shumë prej të vdekurve nga lufta, është simboli më i dukshëm i asaj pakënaqësie.

I dukshëm me një kryq prej 150 metrash, bazilika e Mauzoleut ka tërhequr si turistë ashtu edhe simpatizantë të krahut të djathtë. Ai u bë një vend pelegrinazhi për ekstremistët, dhe shumë prej spanjollëve e quajtën varrin e tij të ngjashëm me atë që do ta kishte Hitleri.

Në Shtator 2018, Parlamenti i Spanjës votoi në favor të zhvarrosjes.

Disa historianë thonë se heqja e mbetjeve të Frankos nga Lugina e të Rënëve do të ishte një “hap” drejt normalizimit për Spanjën, një vend i cili ka akoma fshatra me emrin “Caudillo” për nder të diktatorit, dhe rrugët që kujtojnë figura të larta brenda regjimit të Franko.

Por debati i gjatë mbi eshtrat e Frankos e ka ndarë thellësisht vendin. Zhvarrosja bëhet pak përpara zgjedhjeve të përgjithshme më 10 nëntor.