E gjithë Spanja është në zi pas javësh ankth, ku i gjithë opinioni ndenji “sy e veshë” për ditë të tëra të një pus në Malaga, aty ku ra një fëmijë 2-vjeçar në një thellësi prej 100 metrash, por që nuk nxirrej dot.
Trupi i Julien Rosellos gjend më në fund, pa jetë, pavarësisht shpresave ende të gjalla, sidomos të prindërve.
Ngjarja e trishtë ndodhi të dielën e 13 Janarit, gjatë një pikniku familjar. I humbur nga shikimi i prindërve Vogëlushi ra në vrimën e hapur vetëm 1 muaj më parë, në kërkim të rezervave ujore.
Por nxjerrja e trupit detyroi ndërtimin e një kantieri më vete, ku u përdor dhe eksploziv për evitimin e pjesëve shkëmbore, për të arritur në fund të pusit, aty ku mendohej se ndodhej fëmija, gjithnjë me shpresën se do gjendej gjallë.
“Në orën 1.25 ekipi i shpëtimit arriti në fund të pusit ku gjetën trupin e pajetë të fëmijës”, tha Alfonso Rodriguez Gomez de Celis, një zëdhënës i qeverisë në rajonin e Andaluzisë.
Dy tunele paralele u hapën për të arritur gjer aty, ndërkohë që Jorge Martin, zëdhënës i Gardës Civile, tha se një shpërthim i katërt i kontrolluar ishte i nevojshëm për të gërmuar 50 centimetrat e fundit që i ndanë nga djali.
Kryeministri i vendit, Pedro Sanchez tha në një mesazh se “Spanja i bashkohet hidhërimit të familjes së Julenit. Kemi ndjekur çdo hap për gjetjen e tij. Do t’i vlerësojmë gjithmonë të gjithë ata të cilët dëshpërimisht kërkuan për Julenin. Mbështetja ime për të dashurit dhe familjarët e tij.”
Vdekja e vogëlushit vjen si një mallkim për prindërit e tij. Juleni është fëmija i dytë që Josè Rosellò e Victoria García humbasin. 3 vjet më parë, djali i tyre i parë, Oliver, pësoi një atak kardiak gjatë një shëtitjeje në plazh dhe humbi jetën.