Spanja do të rihapë kufijtë e saj për vendet e zonës së Schengenit më 22 qershor, përveç kufirit me Portugalinë i cili do të hapet më 1 korrik.
Vendimi i qeverisë u bë i ditur të dielën nga kryeministri i vendit Pedro Sanchez.
Teksa numri i rasteve dhe viktimave është në rënie, Spanja ka nisur të lehtësojë masat kufizuese të vendosura për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Hapja e kufijve me vendet e BE ishte planifikuar së pari për në 1 korrik, por Spanja i është bashkuar nismës së vendeve fqinje për t’u rihapur më shpejt, në përpjekje për të gjallëruar ekonominë e goditur rëndë nga pandemia.
Komisioni Europian ka rekomanduar datën 15 qershor për hapjen e kufijve të Schengenit.
Spanja është ndër shtetet e goditura më rëndë në Europë me 250 mijë raste të konfirmuara dhe mbi 27 mijë viktima.