Përhapja e Covid-19 në Spanjë është ngadalësuar falë kufizimeve, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për bilancin e viktimave. 537 pacientë humbën jetën në ditën e fundit, duke shënuar kështu shifrën më të lartë të valës së dytë.
Që prej nisjes së pandemisë, Spanja ka regjistruar rreth 1.6 milionë raste me Covid-19 dhe mbi 43 mijë viktima. Qeveria nuk ka marrë ende një vendim lidhur me celebrimet për festat e fundvitit, ndërsa do të hapë spitalin e parë të specializuar për pandemitë në Madrid. Kjo ka ngjallur polemika, pasi sindikatat kërkojnë që ato fonde të përdoren për shtimin e personelit shëndetësor dhe pajisjeve.
Spanja zbuloi dhe planin e vaksinimit për Covid-19, i cili parashikon që fillimisht të jenë të moshuarit ata që do të vaksinohen. Më pas, do të jetë radha e personelit shëndetësor e me radhë. Qeveria pret që pjesa më e madhe e popullatës të vaksinohet në 6 muajt e parë të 2021.
Greqia zgjat izolimin
Qeveria e Greqisë zgjati deri më 7 dhjetor masat kufizuese, të vendosura për të frenuar përhapjen e Covid-19. Vendimi erdhi pas rritjes së numrit të viktimave ditore dhe shtimit të pacientëve të intubuar në spitalet e vendit.
Greqia përballet me një situatë epidemiologjike të përkeqësuar në javët e fundit, përkundër izolimit kombëtar në fuqi. Qeveria e konsideroi të nevojshme këtë zgjatje të kufizimeve pasi niveli i përhapjes mbetet i lartë.
“Ka shumë shqetësim për situatën në Selanik, Larisa, Lesvo e shumë zona të tjera të vendit”, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas.
Ai shtoi se zbutja e masave do të ndodhë vetëm kur presioni në sistemin shëndetësor të bjerë ndjeshëm.
Pak më e qetë situata në Francë, vend i cili do të zbusë izolimin kombëtar, në dhjetor. Qytetarët pritën me optimizëm rihapjen e dyqaneve dhe rikthimin e qarkullimit për Krishtlindje. Megjithatë, baret e restorantet, të cilat nuk do të rihapin aktivitetin, shprehën shqetësimet e tyre se po shkojnë drejt falimentit.